Shqipëria ka humbur me rezultatin 3-1 përballë Republikës Çeke. Mbrojtja këtë mbrëmje ka qenë larg asaj pathyeshmërie të pak ditëve më parë kundër Uellsit, duke lënë hapësira pas për kundërshtarët. Ndërkohë sulmi këtë herë jep sinjale shprese, teksa kuqezinjtë shfaqen më rrezikshëm përpara. Cikalleshi realizon një supergol nga distanca, por kaq nuk mjafton për të marrë një rezultat pozitiv. Në fund të takimit protagonsitët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport”.
Reja: “Nuk ka ndryshuar shumë vendosja taktike. Ishim pak të lodhur. Në këtë periudhë në fund të sezonit nuk mund të japësh 100%. Më vjen keq që humbëm me rezutlatin 3-1, nuk e meritonim atë humbje. Mbase 2-1 mund të ishte më e pranueshme. Patëm edhe ne rastet tona, por ndodhi ai episodi kur arbitri dha atë vendim në favor të çekëve. Nuk dua të merrem me arbitrimin. Disa gjëra pozitive po vijnë dalëngadalë. Për impenjimin i jap skuadrës notën 10. Kam marrë sinjale pozitive. Në planin e lojës dhamë diçka më të mirë sot. Duhet të përmirësohemi në pasimet finale. U përpoqëm të kishim më shumë zotërim topi. Në një pjesë të lojës ia dolëm, por bënë edhe disa gabime.
Kemi bërë një ndeshje të mirë. Rezultati mund të ishte më ndryshe. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për faktin se u përballëm me dy skuadra shumë të forta. Një herë u rrëzova në Tiranë, herën e dytë në Uells dhe tani hera e tretë. Shpresoj të ketë përfunduar. Dikush e ka me mua. Jam rezistent”.
Bare: “Kemi folur shumë gjatë për pjesën e sulmit dhe jemi stërvitur gjatë për të. Sot pothuajse bënë gjënë e duhur. Sulmuam por rezltati mungoi. Këto ishin thjesht miqësore dhe ne provuam skemat dhe lojtarët për ndeshjet e shtatorit. Është normale të ketë zënka. Asnjë nga ne nuk dëshiron të humbë si në miqësore ashtu edhe në kualifikuese. Duhet të vazhdojmë me një ritëm më të lartë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/