Shumë prej jush mund ta mbajnë mend sulmuesin rus Roman Pavliçenko. Sulmuesi shkëlqeu në turneun “Euro 2008” së bashku me lojtarë të tjerë si Juri Zhirkov dhe Andrei Arshavin. Pavliçenko më pas kaloi katër vite në Angli me ekipin e Totenhemit, ndërsa sezonet e fundit të karrierës si profesionist i kaloi në Rusi, në skuadra të ndryshme si Lokomotiva e Moskës, Kuban Krasnodar dhe Ural Jekaterimburg.
Tani futbollisti i njohur është 37 vjeç dhe ditët më të mirë i ka lënë më kohë pas vetes. Megjithatë Pavliçenko e ka pasur të pamundur të qëndrojë larg futbollit.
Së fundmi ish-sulmuesi i kombëtares ruse është bërë pjesë e Araratit të Moskës, një klub ky militon në ligën rajonale të Moskës, që është dhe divizioni i fundit për nga rëndësia në futbollin rus.
Sigurisht Pavliçenko, i cili tani ka me miliona euro në llogaritë bankare, nuk merr qoftë dhe një kacidhe, pasi bëhet fjalë për një klub krejtësisht amator. Vendimi për t’u bërë pjesë e klubit amator ka ardhur thjesht si pasojë e varësisë së madhe që shtatlarti rus ka për këtë sport magjik që quhet futboll.