Napoli nuk e lëshon Elseid Hysaj dhe hidhet në kundërsulm, sepse i ofron edhe rinovimin. Kështu raporton Gazzetta dello Sport, që tregon edhe skenarët e merkatos dhe planet e Napolit për mbrojtësin kuqezi.
Aktualisht Napoli ka vetëm dy mbrojtës titullarë, Mario Rui majtas dhe Hysaj djathtas, duke parë që Gulam mbetet i dëmtuar dhe ndoshta kthehet në stërvitje në shtator.
Duhet një mbrojtës cilësor, i aftë të bëjë edhe titullarin, ndërsa çelësi në këtë mes është pikërisht Hysaj. Kjo për faktin se Napoli po negocion me PSV Eindhovenin për mbrojtësin e djathtë Santiago Arias, futbollist shumë më ofensiv se Hysaj.
Nëse Arias blihet për 12-14 milionë euro, plani i Ançelotit është të spostojë Hysajn në të majtë të mbrojtjes, rol që shkodrani e ka bërë shpesh (edhe të dielën në pjesën e dytë në miqësoren kundër Karpit), edhe pse jo me shumë qejf. Një sezon në të majtë, me Gulam që do të kthehet në vjeshtë? Ndoshta një e ardhme e tillë nuk e kënaq mbrojtësin kuqezi, por nuk mund të hapë probleme, sepse nuk e ka bërë kurrë në karrierë dhe te Napoli tashmë konsiderohet një “senator”.
RINOVIM – Napoli e di mirë se Hysaj mbetet i preferuari i Sarrit, ndaj për ta mbajtur të qetë ka bërë gati rinovimin. Agjenti i Hysajt, Mario Xhufredi, do takohet ditët e ardhshme me drejtuesit e Napolit për të diskutuar për kontratën e re: do bisedohet për zgjatje kontrate deri në 2023, në mbrojtësin që do të arrijë deri në 2,4 milionë euro neto në sezon. Ndërkaq, do të bisedohet edhe për heqjen e klauzolës se prishjes së kontratës, që ishte 50 milionë deri në 5 korrik për klubet jashtë Italisë.