Mbrojtësi Elseid Hysaj, tashmë një “veteran” në kombëtaren tonë, ka dalë sot para medieve në krah të Armando Sadikut. Për shkodranin ndeshjet me kombëtaren nuk janë kurrë një barrë në aspektin fizik, ndërsa shpreson që tifozët të jenë në stadium ndaj Lihtenshtejnit. Dënimi i Cikalleshit dhe disiplina në kombëtare janë çështje dite, por Hysaj është i qartë: disiplina është shumë e nevojshme.
Tifozët mungojnë në stadium – “Ata duhet të vijnë gjithmonë në stadium, kombëtarja duhet mbështetur, sepse ne mbështetim kombin dhe kemi nevojë për tifozët. Kombëtarja nuk është si klubet, që e sheh çdo javë, janë ndeshje të veçanta, me shumë rëndësi.
Ndryshimet – “Nuk janë ndryshime aq të mëdha, tani jemi në stërvitjet e para dhe po njihemi e ambientohemi me trajnerin. Kemi marrëdhënie shumë të mira, Panuçi është një trajner që di të kuptojë lojtarët dhe ambientin, besoj se do të shkojë gjithçka mirë.
Diferenca Panuçi-De Biazi “Të gjithë trajnerët janë të ndryshëm, besoj i keni parë vetë ndryshimet mes tyre. Pastaj, Panuçi ende nuk ka debutuar, do ta tregojnë puna dhe rezultatet e tij.
Disiplina në kombëtare – “Është mjaft e nevojshme, në çdo ekip kështu veprohet, edhe Naingolan i Belgjikës mbeti jashtë për gjëra të tilla. Janë normale.
Lodhja fizike – “Sa herë kam ardhur në kombëtare, nuk kam ndierë lodhje. Dua të luaj gjithmonë për kombëtaren, vij me qejf të madh, për të luajtur gjithnjë. Uroj të luaj gjithmonë dhe do të jap maksimumin.
Shiriti i kapitenit – “Nuk ka rëndësi kush e merr, nuk ndryshon asgjë të pasurit shirit në krah. Të gjithë kanë qejf të jenë kapitenë, por nuk është se mendojmë shumë për atë.
Të ardhurit e rinj – “Kanë nevojë për pak kohë, e kam kaluar vetë këtë pjesë, e di si ndihen. Do të përshtaten shumë shpejt, nëse janë të zotë, do të kapin formacionin. Trajneri po provon lojtarë, ata që janë me më shumë kualitet do të luajnë.
Maqedonia – “Duhet të bëjmë kujdes, në sulm janë lojtarë me eksperiencë dhe që dinë të shënojnë. Gjithsesi, kemi treguar që dimë të mbrohemi mirë dhe ashtu do të vazhdojmë”.