Klubi i Kukësit ka bërë publik vendimin për ta luajtur ndeshjen me Flamurtarin në stadiumin e Kamzës. Në “Elbasan Arena” nuk mund të luhet për shkak se është mbjellë bari, ndërkohë që në “Loro Boriçi” të Shkodrës do të mungonte mbështetja e tifozëve.
Për këtë arsye do të luhet në Kamzë dhe klubi e ka njoftuar diçka të tillë ditën e sotme. Gjithashtu bëhet me dije se hyrja në stadium për këtë ndeshje do të jetë falas, si dhe që do të bisedohet që edhe në vazhdim të luhet në këtë stadium
“Njoftim! Ndeshja e javës së XI e vlefshme për Kategorinë Superiore, FK Kukësi – FK Flamurtari, do të zhvillohet në stadiumin e Kamzës në orën 14:00 të ditës së premte.
Duke marrë në konsideratë numrin e madh të mbështetësve të Futboll Klub Kukësit të cilët banojnë në bashkinë Kamëz, pas zhvendosjes së tyre ndër vite nga rrethet e Kukësit, Hasit e Tropojës, por edhe më gjerë, presidenti i klubit, z.Safet Gjici vendosi që të zhvillojë ndeshjen e kësaj jave në stadiumin ‘Kamza’ duke iu mundësuar tifozëve që të shikojnë ndeshjen përballë Flamurtarit pa pagesë.
Ndërkohë pas marrjes së këtij vendimi, duke shpresuar në vijimin e bashkëpunimit me drejtuesit e klubit të Kamzës por dhe me mirëkuptimin e bashkisë, do të shqyrtohet mundësia e zhvillimit të gjitha ndeshjeve në këtë stadium. Faleminderit”, thuhet në njoftimin e klubit të Kukësit.