Skuadra s’ka asnjë të dëmtuar, teksa dje stërvitja ka shërbyer më shumë në aspektin taktik. Ideja me dy sulmues qëndron, por ka balotazh mes 4-1-4-1 dhe 3-5-2
Anton Cicani
Kombëtarja kuqezi është plotësuar. Ditën e djeshme, në Stamboll, bashkë me pjesën tjetër të ekipit janë bashkuar edhe Jahmir Hyka e Azdren Llullaku, pas një udhëtimi të lodhshëm. Dy lojtarë tepër të çmuar, që pasurojnë teknikisht grupin.,
Trajneri De Biazi, në minutat e para të seancës stërvitore të zhvilluar në Stamboll, gjeti momentin edhe për ndonjë batutë me kuqezinjtë,edhe pse gjendja e tij mbetet ende e rëndëduar psikologjikisht, për të vetmin fakt se humbja e pestë radhazi, e ka vendosur si shënjestër në “poligonin mediatik”.
Mbledhja – Dje në mëngjes, në fakt, trajneri ka bërë edhe një mbledhje dhe, sipas asaj që ka arritur të zbulojë “Sport Ekspres”, i ka bërë me dije lojtarëve se tashmë s’ka më shaka dhe se duhet përqëndrim maksimal në stërvitje. Ata që nuk stërviten ashtu si duhet, atëherë s’do të kenë vend në formacion. Trajneri u ka kërkuar të gjithëve të japin më shumë se maksimumi dhe të fokusohen në stërvitje, duke qenë se duhet të ndryshojnë trend dhe të rifitojnë tifozët, që disi janë ftohur.
Taktika – Duke qenë se në krah të majtë të mbrojtjes nuk kemi alternativa, pas mungesës së Agollit (Aliji është shfaqur në gjendje të mjerueshme fizike, ndërsa Lenjani s’mund të bëjë dot krahun, pasi gjithashtu mosaktivizimi për një vit ka sjellë një ngërç në muskulaturën e tij), atëherë skema 3-5-2 mund të ripërsëritet. Ndërkohë, De Biazi këto ditë mund të mendojë edhe Hysajn në krah të majtë, edhe pse do të ishte një sakrificë e madhe. Sakaq, skema e origjinës, pra 4-1-4-1 mund të jetë zgjidhje, por me shumë rreziqe, gjithashtu. Mbrojtja me tre, edhe pse zhgënjeu ndaj Luksemburgut, është ajo që bind më shumë me Gjimshitin, Kukelin dhe Mavrajn. Sakaq, mund të ketë minuta që në fillim për Bashën, me Memushajn dhe Abrashin që formojnë dyshen në qendër, teksa në të majtë mund të luajë Llullaku. Sa i përket Hykës, pritet në sulm me Cikalleshin, e konfirmuar.