Silvio Berluskoni prej kohësh është president i ekipit të Monzës, që militon në Serie C dhe momentalisht luan fazën “play-off” për t’u ngjitur në Serie B.
Shpesh ish-presidenti i Milanit vjedh vëmendjen e mediave, pasi njihet për deklaratat dhe karakterin e tij. Së fundmi, pas shkarkimit të Alegrit nga Juventusi, nisën të përfliteshin lajme sikur Berluskoni ishte interesuar për trajnerin nga Livorno, që ky i fundit të merrte drejtimin e Monzës.
Gjithsesi, në një prenoncim për “Sky Sport”, Berluskoni ka deklaruar se nuk është diçka e vërtetë. Gjithashtu, ai foli dhe mbi futbollin e sotshëm, ku deklaroi se nuk është më i bukur dhe nuk e tërheq më.
ALEGRI TE MONZA – “Jo, nuk e besoj. Nuk kam dëgjuar të flitet për këtë çështje. Monza ka një trajner që ka dalë nga një shkollë si ajo e Milanit dhe po bën një punë mjaft të mirë.”
MONZA DHE FUTBOLLI – “Duam të bëjmë një skuadër të mirë dhe të kemi sukses. Mbi të gjitha një ekip që ka lojë të ndryshme nga të tjerët, me djem të edukuar, pa mjekër dhe pa tatuazhe e vathë. Futbolli i sotëm në Itali nuk më tërheq më. Ka ekipe të mbushur me lojtarë të huaj. Futbolli është kthyer në një lojë force. Nuk është më i bukur.”