Sezoni i zi i Mançester Junajtid i ka kushtuar shumë rëndë klubit në aspektin financiar, sepse vlera e klubit legjendar ka pësuar një rënie të frikshme, duke humbur një miliard dollarë vlerë në bursë.
Kompania që kontrollon klubin ka parë të zhduket 25% e vlerës së klubit, gjatë periudhës kur “Djajtë e kuq” janë fundosur edhe në fushë.
Në fund të gushtit të vitit të shkuar Man Utd kishte një vlerë rekord prej 4.27 miliardë dollarësh, ndërsa tani vlen vetëm 3.25 miliardë.
Vjeshtën e shkuar klubi u godit rëndë nga një rënie në Bursën e Nju Jorkut, por tregu amerikan është rritur sërish, duke shkuar në nivelet e gushtit, ndërsa vlera e Junajtid është zhytur keq, ashtu si rezultatet e ekipit.
Në 31 gusht të vitit të shkuar një aksion i Junajtid kushtonte 26.2 dollarë, ndërsa tani vetëm 19.5 dollarë, duke qenë në pikiatë, pas një rritjeje të shkurtër kur trajner u emërua Ole Gunar Solskjaer dhe rezultatet u përmirësuan ndjeshëm për disa javë.
Në verë Junajtid ka ndërmend të shpenzojë shifra të rëndësishme për të rindërtuar ekipin, por ndoshta diçka e tillë po i tremb investitorët, duke qenë se vlera e futbollistëve me emër mund të bjerë ndjeshëm nëse rezultatet nuk përmirësohen.
Ndërkaq, Junajtid do të humbiste rreth 80 milionë sterlina nëse nuk përfundon mes 4 skuadrave të kreut në Premier League këtë sezon, ndaj situata është e nderë dhe nuk është çudi që në verë të shitet edhe Paul Pogba, për të gjetur fonde shtesë për merkaton.