Ançeloti: Zidan më ndryshoi si trajner, ju tregoj prapaskenën me Baxhon!

Ançeloti është një nga trajnerët më fitues dhe të dashur për tifozët. Trajneri i Napolit shkroi historinë me Milanin, duke krijuar një ekip të mrekullueshëm, ndërsa riktheu pas shumë vitesh Champions Ligën te Reali i Madridit.

Mes tyre janë dhe eksperiencat me Parmën, Juventusin, Çelsin, PSG dhe Bajernin e Mynihut. Italiani ka dhënë një prononcim të gjatë për “Corriere dello Sport”, aty ku tregon episode interesante.

Ançeloti e nis me momentin kur zgjodhi të drejtonte Napolin, mikun e tij Arrigo Sakin, me të cilin bisedon dhe diskuton pafund, njeriun që i ndryshoi pikëpamjet e futbollit. Karleto flet dhe për merkaton dhe zbulon një futbollist, të cilin e adhuron. Ai është Hirving Lozano, është 23 vjeç, meksikan, luan në krahët e sulmit dhe aktivizohet me PSV.

Një peng e ka dhe ai quhet Roberto Baxho! Më pas rrotacioni, të cilin e përdor si askush, marrëdhënia mes batutave me Aurelio De Laurentis, eliminimi nga Champions dhe Serie A.

NAPOLI – “E mbajta sekret ardhjen time te Napoli, sepse De Laurentis ishte në bisedime të thella me Sarrin dhe nuk kisha ndërmend të përfundoja mes tyre. Më pyetën për disponueshmërinë time, nëse nuk do të arrihej akordi me Mauricion dhe u dhashë fjalën. Në atë periudhë shprehën interes konkret për mua Napoli dhe Italia. Në Premier Ligë nuk kishte hapësira dhe unë dëshirojë të kthehesha për të stërvitur çdo ditë. Napoli ishte zgjedhja perfekte. Një avokat nga Parma, Zikardi nisi negociatat në emrin tim. De Laurentisin e takova për herë të parë në hotel në Romë, kur do të nënshkruaja kontratën, pikërisht ditën që na kapën mediat. Nuk jemi takuar shpesh me të më parë dhe ka ndodhur për arsye të tjera. E kisha telefonuar nga Parisi për të diskutuar për Lavecin dhe më vonë për Kavanin.”

SAKI – “Është mërzitur kur mori vesh që kisha mbyllur gjithçka pa u konsultuar me të në fillim? Nuk mendoj ashtu, Saki më telefonon shpesh, analizon ndeshjet dhe më jep sugjerime e këshilla. Unë e dëgjoj, i dëgjoj të gjithë. Në të vërtetë, jo, po ju tregoj diçka që nuk ia kam thënë askujt: ndonjëherë bëj sikur dëgjoj, zhytem brenda botës time dhe humbas në mendime. Reflektoj shumë, sepse jam një tip racional. Instinkti nuk mbizotëron kurrë mbi vendimet e mia dhe në jetën time ka një peshë të parëndësishme. Injoranca nuk më udhëheq kurrë. Futbolli më ka mësuar të jem më i durueshëm nga ajo që jam në të vërtetë. Qetësia është një aftësi thelbësore për ata që bëjnë punën time. Përveç ekuilibrit, nuk ekzaltohem kur fitoj dhe nuk trullosem kur humbas.

STILI-ROBERTO BAXHO – “Nuk lodhem kurrë me Sakin, ndërsa me një lloj të caktuar futbolli po. Kam kuptuar se nuk ekziston një sistem i vetëm, mund të fitohet në shumë mënyra. Dëshiron ta dish se falë kujt ka ndodhur kjo gjë? Zinedin Zidan te Juventusi ndryshoi idenë time të futbollit. Kisha frenuar Parmën të firmoste me Roberto Baxhon, i cili kishte një marrëveshje me klubin. Baxho ishte një nga talentët më të mëdhenj të historisë së futbollit italian, por unë kisha në ekip Enriko Kiezën dhe Hernan Krespon. Përgjithësisht kisha një stil futbolli që nuk kishte trekuartist, rolin që Baxho kishte kërkuar. Nëse Baxho do të kishte ardhur, pasi Zidan ndryshoi karrierën time, do të kisha punuar me shumë kënaqësi me Robin.”

VITET MË TË MIRA – “Tetë vitet te Milani qëndrojnë larg çdo gjëje tjetër, por nëse doni të dini të vërtetën për pjesën tjetër: do të thoja Madridi. Reali është Reali dhe të gjithë trajnerët duhet të kenë shansin të punojnë në një qytet si Madridi.”

MERKATO – “Negociuam me Lobotkën në verë, kur po rrezikonim të mos merrnim Fabian Ruiz për shkak të klauzolave. Barela është një futbollist i mirë, por unë dashuroj Lozanon. Për momentin jam i lumtur me skuadrën e shkëlqyer që kam. Ky grup nuk ka dhënë akoma 100% të asaj që mund të bëjë. Fabian Ruiz nuk ka dhënë akoma 100%, që nuk e ka treguar as Milik dhe Zielinski. Insinje dha më shumë se 100% deri në nëntor, ndërsa më pas pësoi një rënie në formë.”

Hirving Lozano

RROTACIONI – “Kam bërë një përzgjedhje mjaft të balancuar të lojtarëve dhe bëj ndryshime për të siguruar që të gjithë ndihen pjesë e projektit. Kjo është diçka që i jep frytet më vonë. Ju jap një shembull: te Reali kisha Ronaldon, Benzemanë, Bejlin, Sergio Ramos, Ksabi Alonson dhe Di Marian, kështu që kishte shumë hendek midis zgjedhjes së parë dhe zgjedhjeve të dyta.”

PRESIDENTI – “Zakonisht flasim bashkë dy herë në javë. De Laurentis dëshiron të dijë gjithçka dhe më bën shumë pyetje. I kam thënë se nëse tenton të fusë hundët në formacion, do të zgjedh aktorët për filmin e tij të radhës. Mendoj se do të punësoj Robert De Niron, Bredli Kuper, Kris Pejn dhe shokun tonë Zoe Saldana.”

CHAMPIONS – “Anfield është një stadium i komplikuar. Mos harroni që Liverpuli i rrasi tre gola aty Sitit të Guardiolës. Bëmë gjithçka mundëm, kjo është çfarë u thashë djemve në fund. Mos harroni që për pak e barazuam ndeshjen në fund… U eliminuam për shkak të golit të barazimit të Di Marias në Paris, në një ndeshje ku e meritonim fitoren përballë PSG. Kishim në grupin tonë dy skuadra kandidate për fitimin e Champions Ligës dhe ishim në garë deri në sekondën e fundit.”

SERIA A – “Do të përpiqemi deri në fund që të fitojmë, por nëse Juventusi do të fitojë titullin nuk do të jetë një ndryshim i madh. Napoli ka bërë një punë shumë të madhe dhe drejtori ynë sportiv, Kristiano Xhuntoli po bën mrekullira.”

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *