Mbrojtësi i Tiranës, Erion Hoxhallari ka folur për “RTSH Sport”, ku u shpreh i bindur se Tirana do të bëjë më mirë në gjysmën e dytë të sezonit. 23-vjeçari është një lojtar që mbulon shumë pozicione dhe trajneri Mema e ka provuar në shumë role. Kjo gjë nuk e bezdis aspak Hoxhallarin, i cili tha se bën çdo gjë nëse Mema ia kërkon.
Mes të tjerash, mbrojtësi bardheblu tha: “Trajneri vendos se ku do të luajë unë dhe unë i përgjigjem. Jam i gatshëm të bëj çdo gjë nëse ma kërkon trajneri. Duhet më shumë përqendrim nga reparti i prapavijës.
Do ta fillojmë gjysmën e dytë të sezonit duke menduar rënien nga kategoria. Duhet të largohemi nga ajo zonë në renditje ku jemi dhe më pas do të shohim për më lart. Nga ndeshja në ndeshje, do të vijë dhe forma e mirë e ekipit”,- u shpreh Hoxhallari.