Gustavo Gomez më në fund ka lënë Milanin… Një histori si ato nëpër filma. Mbrojtësi i ardhur nga Lanusi dy vjet më parë dhe që u prezantua si një goditje prej 8 mln eurosh, pasi skuadra argjentinase pranoi ofertën kuqezi, premtoi se do të jepte maksimumin dhe se do të donte të fitonte titullin, por ajo që fitoi ishte mosbesimi.
Edhe pse, në sezonin e parë, luajti 18 ndeshje, duke mos bindur aspak, ishte periudha e tranzionit dhe ardhja e kinezëve. Më pas, sezoni i shkuar, një zero e madhe, me përjashtim të një ndeshje në Europa League. Nga Montela te Gatuzo, me të cilin fushën e pa vetëm nga tribuna ose nga shtëpia e tij.
Paraguajiani, që aq keq nuk ishte, kur mbërriti, pasi kishte një CV të pasur, priste të konfirmohej, por ajo që ndodhi më pas ishte e pabesueshme. Thuajse transferimi te Boka Xhuniors në Argjentinë, agjenti në seli dhe karrigia e përplasur në sy të drejtuesve, për shkak të ofertës së ardhur për “dy qindarka”…
Shumë interesime, por pak konkretizim. Shkaku? Rroga e tij prej gati 2,5 mln eurosh. Shumë pak mund ta paguanin. Kontratë e gjatë, deri në vitin 2021, që më në fund është prishur, pasi Palmeirasi sot e ka zyrtarizuar: huazim 1,5 mln euro dhe detyrim blerje për 4,5 mln euro në rast se arrin të luajë disa ndeshje të caktuara. Pra, 6 mln euro, që do të ishin plusvlerë për Milanin, që bleu 8 dy vjet më parë.