Historia e futbollistit që shpenzoi gjithë paratë në bixhoz!

Një histori e veçantë dhe e trishtë na vjen nga futbolli britanik. Skot Dejvis ishte një lojtar që kishte talent dhe mund të kishte zhvilluar një karrierë të mirë, por bixhozi i shkatërroi gjithçka. I talentuar dhe për të fshehur “fiksimin” e tij, por vjen një ditë dhe sheh që gjithçka ke ndërtuar të shembet përpara syve.

Në një intervistë për “BBC”, 30-vjeçari nis e tregon për vesin që i shkatërroi karrierën dhe rininë e tij. Sot ia ka dalë të heqë dorë mbas terapive të shumta dhe është gati për të ndihmuar të tjerët që kanë probleme me bixhozin. “Një problem i ndarë është një problem përgjysmë”, shprehej nëna e tij, fjalë që Skot nuk i harron kurrë.

Ai pa ferrin me sy dhe sot insiston që njerëzit me të njëjtin problem duhet të flasin dhe të diskutojnë. “Nisa të luaja bixhoz kur isha 16 vjeç. Luaja futboll me skuadrën lokale të Ajlesburit, fitoja 50 sterlina në javë dhe luaja bixhoz me shpresën për të dyfishuar paratë e mia. Askush nuk më pyeste për moshën dhe unë nuk i tregoja kujt se sa vjeç isha. Kur mbusha 17 vjeç stërvitesha me ekipin e parë të Ridingut. Nuk isha në gjendje të paguaja biletën e autobusit për të mbërritur në stërvitje, kështu që e bëja në këmbë nga shtëpia ime. Tre milje çdo ditë.

Në Krishtlindjen e vitit 2006 firmosa kontratën e parë si profesionist. Pak më vonë pësova një sulm grabitje në qytet dhe përfundova me nofullën e thyer. Trajneri më thirri në zyrën e tij dhe më tha se nuk dëshironte të më shihte më në ekip deri në fund të sezonit. Kështu që u transferova tek Aldershot Taun. Atje fillova të luaja poker me shokët e ekipit. Fitoja 400 sterlina në javë, por të gjitha këto para i shpenzoja në poker. Në atë periudhë e kuptova që kisha krijuar varësi nga bixhozi.

Mendoja çdo ditë për të luajtur dhe në fund të sezonit i detyrohesha 2000 sterlina një miku tim. I kërkova familjes para për herë të parë, që të paguaja borxhin. Prindërit më ndihmuan dhe i thashë vetes që kjo gjë nuk do të ndodhte më kurrë. Mendoja që sukseset në fushën e blertë do të më ndihmonin të zgjidhja problemet jashtë saj. Atë sezon realizova 25 gola në 56 ndeshje dhe shumicën e golave si mesfushor. Në fund të sezonit firmosa një kontratë të re: nga 400 sterlina në javë, tashmë fitoja 1800.

Nuk paguaja qera, sepse kisha shtëpinë time, kështu që fillova të luaja bixhoz akoma dhe më shumë. 6 mijë sterlinat që fitoja i shpenzoja për 5-6 ditë. Prindërit vendosën për të më bllokuar kartën e kreditit, por unë luaja pa ndërprerje. Ikja në bankë dhe tërhiqja para aq sa ishte e mundur. Djemtë e tjerë kishin hobi si: kompjuteri ose golfi… Tentova dhe unë të luaja, por asgjë nuk më transmetonte entuziazmin e bixhozit.

U detyrova të nisja terapinë për të kuruar këtë varësi. Një konsulent më pyeti njëherë se pse luaja dhe iu përgjigja se ndoshta është për shkak të mërzisë. Ai mu përgjigj se mërzitja nuk ekziston, por është një miks emocionesh midis zemërimit, shqetësimit dhe panikut. Kështu që loja e bixhozit ndoshta fshihej mbas diçkaje tjetër. Arrita në pikën që lashë në bixhoz 30 mijë sterlina, që prindërit i kishin kursyer për të më blerë shtëpinë. Kur ua tregova, shpërtheva në lot dhe nëna ima nuk po arrinte ta besonte.

Mbas një tjetër sezoni në huazim tek Aldershoti, u riktheva te Riding dhe trajneri im ishte Brendan Roxhers. Fillova të shënoja në disa miqësore, madje i shënova dhe Çelsit. U shpalla njeriu i ndeshjes në dy ndeshjet e para të kampionatit në fushën tonë. Ndihesha sikur po fluturoja dhe ia përsërisja vetës që: ia dole.

Askush nuk e dinte te Riding, që unë luaja bixhoz, por vazhdoja ta bëja diçka të tillë mbas çdo stërvitje. Një ditë isha gati të rikthehesha përsëri, por trajneri më ndaloi dhe më thirri në zyrën e tij. Ai më tha: ‘e di që ke luajtur shkëlqyeshëm këtë periudhë, je më i miri i ekipit, por unë dua që të stërvitesh akoma dhe më shumë’.Me pak fjalë, ai dëshironte që të më shihte përsëri në fushë dhe të kryeja stërvitje ekstra. Diçka e pamundur, sepse unë duhet të luaja bixhoz dhe futbolli pengonte varësinë time, që ishte i vetmi motiv për të cilin unë zgjohesha në mëngjes. Nuk arrija të kontrolloja veten. Brendan Roxhers filloi të më mënjanonte dhe që nga ai moment, unë nuk luajta më…”

Mbas shumë përpjekjesh dhe rreth 200 mijë sterlinave të shpenzuara, Dejvis ia doli mbas shumë viteve terapi dhe një aksidenti me makinë, që i ndodhi, ndërsa po shikonte një garë kuajsh.

“Një ditë një djalë më kërkoi ndihmë dhe shpërtheu në lot në krahët e mi. Kush tenton të dalë nga ky tunel, unë i afroj mundësinë për të biseduar. Ndonjëherë dëshiron që vetëm të flasësh me zemër të hapur për problemin tënd me dikë. Nëna ime e përsërit gjithmonë: ‘një problem i ndarë, është një problem përgjysmë’. Pikërisht kjo është, ajo që dua të bëj momentalisht”, përfundon historinë e tij Skot Dejvis.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *