Luftëtari ka pasur probleme të shumta financiare këtë sezon, ndërkohë që ende ka shumë paqartësi për çështje të ndryshme. Së fundmi tifozët në Gjirokastër po protestojnë për ekipet e tyre të moshave, që çuditërisht janë bërë të Panathinaikosit.
Ekipet U13 dhe U15, që stërviten nga Gazmend Bimi dhe Besmir Sinani, janë fotografuar me bluzat e Panathinaikosit. Do thoni ju çfarë ka të çuditshme në gjithë këtë histori, pasi shpesh ndodh që ekipet e fëmijëve veshin edhe fanella të Barcelonës e Realit të Madridit?
Në Gjirokastër dyshojnë se këto fotografi shërbejnë si provë që në Gjirokastër ka një akademi të Panathinaikosit. Sigurisht, nëse e gjitha kjo është e vërtetë, dikush përfiton në aspektin financiar. Në shënjestër është Vangjel Çavo, i cili ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te bluzinjtë dhe ishte ai që bëri merkaton në verë.
Nuk është hera e parë që ka akuza ndaj tij dhe një pjesë e mirë e tifozëve shpesh kanë qenë kundër pranisë së tij te Luftëtari. Gjithsesi është presidenti Grigor Tavo ai që vendos se kush janë bashkëpunëtorët e tij. E gjithë situata me ekipet e moshave të Luftëtarit mbetet për t’u sqaruar nga drejtuesit e klubi bluzi.