Është hedhur sot shorti i Botërorit të Klubeve, që zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe nga datat 12-22 dhjetor. Reali i Madridit, si fituesi i Champions Ligës, do ta nisë kompeticionin në fazën e gjysmëfinaleve dhe do të përballet me fituesin e çiftit midis Guadalajarës së Meksikës dhe Kampionëve të Azisë.
Për momentin janë kualifikuar katër skuadra: Real Madrid si fitues i Champions Ligës, Guadalajara si fituese e Champions së Concacaf, Uellington si fitues i Oqeanisë dhe Al Ain si ekipi vendas.
Mbeten për t’u përcaktuar dhe kampionët e Azisë, Amerikës Latine dhe Afrikës. Ndeshja hapëse do të zhvillohet mes Uellingtonit dhe Al Ain dhe fituesi i këtij çifti do të përballet me kampionin e Afrikës në fazën çerekfinale, ndërsa fituesi i çiftit çerekfinal do të luajë kundër ekipit që do të fitojë Kupën Libertadores.
Sezonin e kaluar finalja u zhvillua mes Realit të Madridit dhe Gremios me spanjollët që fituan me rezultatin 1-0 me golin e shënuar nga Kristiano Ronaldo në minutën e 53-të të ndeshjes. Reali ka fituar 3 nga 4 Botëroret e fundit për klube, ndërsa klubi i fundit jo europian që ka fituar këtë kompeticion është Korinthias në vitin 2012. Brazilianët mposhtën në fianle Çelsin me rezultatin 1-0 dhe goli i fitores u shënua nga Guerrero.