Edon Hasani është në një situatë anormale këtë verë: nga njëra anë konsiderohet si një ndër mesfushorët më të mirë në Shqipëri, por nga ana tjetër ende nuk po gjen ekip, pavarësisht nga ofertat e shumta që ka marrë. Herë ofertat nuk e kanë kënaqur e herë ka pritur diçka nga jashtë, por tashmë është fakt që Hasani duhet të nxitojë, sepse skuadrat po kompletohen. Ditët e fundit është përfolur për një transferim të shkodranit te Partizani, ku në fakt pati edhe një bisedë me presidentin Gaz Demi, por ndërkohë vetë Hasani, për “Sport Ekspres”, mohon marrëveshjen dhe firmën për të kuqtë.
PARTIZANI – Ditët e fundit te Partizani ka firmosur mesfushori italian Xhovani La Kamera, duke shtuar numrin e lojtarëve në repartin e mesfushës, sepse janë në ekip emra të njohur si Batha, Trashi e Vila, apo edhe Progni. Megjithatë, për të pasur një ekip sa më të kompletuar, presidenti Gaz Demi kontaktoi edhe Hasanin, vlerat e të cilit njihen mirë në Superiore. Megjithatë, biseda e parë nuk mbylli gjithçka dhe u la një takim për sot. Pikërisht kur pritej avancimi i bisedimeve, Hasani ka mësuar nëpërmjet medieve se trajneri Juliano nuk e dëshiron në skuadër! Një koordinim absurd te Partizani, ku klubi bën merkaton dhe më pas pyet trajnerin, ndërsa një gjë e tilla natyrisht ka bezdisur pa masë edhe vetë Hasanin. Ndonëse nuk ka pranuar të komentojë hapur, mesfushori nuk e fsheh që ka mbetur i befasuar dhe i mërzitur nga fakti që gjithçka ka ndodhur është publikuar me shpejtësi në media dhe Partizani nuk e ka mbajtur të fshehtë tratativën.
SQARIMI – “S’kam firmosur me Partizanin. Më ka kontaktuar personalisht presidenti Gaz Demi dhe unë për respekt shkova dhe e takova në Tiranë. Zoti Demi më priti personalisht, por marrëveshja nuk u arrit, edhe pse ishim dakord në disa pika”, thekson tekstualisht në një mesazh telefonik Hasani, duke sqaruar situatën në fjalë. Në këtë mënyrë, Vllaznia mbetet në lojë dhe është një opsion real për mesfushorin, i cili tërhiqet edhe nga fakti se do të luante në shtëpinë e vet.