Në Korçë besojnë: Ia dalim në Elbasan!

Atmosferë e zjarrtë në juglindje të vendit. Festë e përkohshme dhe ankth në fund. Për ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”, tifozët do të jenë “arma” e korçarëve

Leonard Trebicka

Kanë rrëmbyer shajet bardhekuq, flamujt dhe fanellat e Skënderbeut dhe dje, në orën 18:00, të gjithë janë ulur përpara ekranit të televizorit për të ndjekur ekipin e zemrës. Pa dyshim që dje, jo vetëm në Korçë, por në mbarë Shqipërinë, kanë bërë tifo për Skënderbeun dhe për Shkëndijën e Tetovës. Për pak korçarët mund të kishin dhuruar një tjetër rezultat pozitiv, por edhe humbja me gol të shënuar në fushë kundërshtare i mban të gjithë me shpresën e madhe se në Elbasan një javë më vonë Skënderbeu mund t’ia dalë. E gjithë Korça dje kishte pushtuar  lokalet e qytetit, duke ndjekur Skënderbeun, që në fakt i ka bërë me zemër tifozët në momentet e fundit, kur barazoi me anë të Liridon Latifit, edhe pse autorësia i golit iu dha mbrojtësit çek. Në minutën e 86-të të ndeshjes qyteti i Korçës ka oshëtirë. Ai fund i ndeshjes për pak sa nuk u kthye në festë, edhe pse korçarët luanin në Çeki. Britmat në qytet kanë bërë që atmosfera të ndizej edhe më shumë, por më pas ka ardhur ai gol i dytë i Mladës, që i ka pezmatuar të gjithë, por nuk e ka zbehur besimin e kualifikimit, sepse është edhe ndeshja e kthimit. Skënderbeu është skuadra e vetme e Superiores, që po i mban “gjallë” me futbollin e luajtur tifozët e vet. Edhe pas kësaj ndeshjeje të parë të raundit të tretë, nuk kanë munguar vlerësimet, pavarësisht humbjes.

ELBASANI – Një javë më vonë, të enjten e 3 gushtit, Skënderbeu do të luajë takimin e kthimit në stadiumin “Elbasan Arena”. Për të ardhur keq, pasi nuk do të luhet në shtëpi, ku korçarët kaluan dy ture. Gjithsesi, ky fakt nuk do t’i pengojë aspak të gjithë të niset sërish drejt Elbasanit për të mbushur stadiumin dhe për të mbështetur futbollistët në këtë moment, kur ata kanë nevojë më shumë se kurrë. Pritet që gjatë këtyre ditëve shoqata “Ujqit e dëborës” të fillojë organizimin, por, përveç korçarëve, pritet që në Elbasan të ketë mbështetje edhe nga qytetet e tjera. Skënderbeu ka shanse të mëdha për të shkuar në fazën e “play-off”-it të Europa League, pasi i mjafton edhe një fitore 1-0 për t’u kualifikuar. Patjetër që ka besim, sepse skuadra korçare e ka treguar veten dhe është në gjendje të përmbysë gjithçka javën tjetër. Tifozët pritet të japin “dorën” e tyre në kualifikimin e korçarëve, siç bënë në ndeshjen me Kairatin të enjten e një jave më parë. Në Korçë të gjithë dje shpreheshin me besim: Do t’ia dalim!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online