Gaspër Marku
Në Shkodër kanë filluar të mendojnë seriozisht se një Vllazni me futbollistë shkodranë do të ishte gjëja më e mirë, pasi jo vetëm ata do jepnin gjithçka në fushën e blertë, por edhe shpenzimet e klubit do uleshin në maksimum. Pro kësaj ideje janë shumë njerëz të sportit në qytetin verior, por për hir të vërtetës ai që i mëshon më shumë kësaj teze, është drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Hasani. Prej kohësh ai ka propozuar te drejtuesit mendimin dhe idetë e tij, por ajo që e ka bërë të jetë më i sigurt në atë që kërkon, është ndeshja e fundit ndaj Tiranes, ku forca dhe karakteri i shkodranëve në skuadrën kuqeblu dolën dukshëm në pah.
NDESHJA ME TIRANËN – Alban Hasani pranon se ka qenë ndër ditët më të vështira të tij ndeshja me Tiranën, teksa për “Sport Ekspres” ai tregon emocionet e përjetuara. “Gjatë 90 minutave të kohës së rregullt, dhe sidomos të atyre shtesë, provova emocione shumë të mëdha. E pranoj pa as më të voglin dyshim që ka qenë ndeshja më e vështirë e Vllaznisë. Dhjetë minutat e fundit nuk do t’i harroj lehtë. Ishte një gjendje shumë e keqe emocionale, por fatmirësisht ndeshja mbaroi në favorin tonë. Më vjen shumë keq për Tiranën, presidentin e saj, tifozët dhe lojtarët, sepse kampionati tonë i mungon shumë derbi i Shqipërisë”, deklaron Hasani.
TIFOZËT – Nuk mund të anashkaloheshin tifozët kuqeblu, që ndaj Tiranës iu përgjigjën thirrjes së klubit për të qenë krah ekipit. “E imagjinoni po të ishte kjo ndeshje për titull kampion, se çfarë do të bëhej në atë stadium, ndaj i falënderoj pa masë, sepse pa as më të voglin diskutim ishin mbështetje dhe një forcë shumë e madhe morali në arritjen e objektivit”, shton Hasani.
VLLAZNI SHKODRANE – “E kam theksuar edhe më parë, para shumë kohësh, se Vllaznia ka djem që i dalin zot asaj. Ato janë djemtë e Shkodrës. Jam shumë i kënaqur me një ekip ‘bio’ si ky i tanishmi i Vllaznisë. Një Vllazni të tillë puro shkodrane, ku të gjithë lojtarët, si ato në fushë dhe ato në stol janë prodhim i Akademisë Vllaznia, nuk e kishim parë prej kohësh”, deklaron ish-qendërmbrojtësi, që ndihet krenar për punën që ai dhe kolegët e tij bëjnë në përgatitjen e brezave të ndryshëm pranë ekipeve të Akademisë Vllaznia. “I falënderoj shumë për sakrificën e madhe që bënë, duke dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Këtu dua të fus edhe rastin e Markut, që edhe pse i dëmtuar na befasoi të gjithëve me atë që bëri. Një rast krejt i padëgjuar, që pas dy javësh operim të futet në lojë. Ky është gjaku i shkodranit, sedra e ajo që na kanë mësuar profesorët tanë për këtë fanellë”, vijon Hasani, i cili është i mendimit se Vllaznia duhet të bëhet me shkodranë. “Unë besoj që baza e ekipit në të ardhmen të jetë me shkodranë puro, pasi jam i bindur, jo që do të përfaqësohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të pretendojnë për një vend në Europë, por jam i bindur se do të jetë në nivele optimale, madje edhe më mirë se disa skuadra që harxhojnë miliona me futbollistë të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë në Shqipëri vetëm për të marrë lekë, dhe kur vjen puna në momente të caktuara nuk japin më të mirën për skuadrat e tyre, ashtu siç mund të bëjnë futbollistët me gjak vendas”, përfundon Hasani.
“Akademia, garanci për të ardhmen”
Shkodra është ndër të parat në Shqipëri që pati iniciative e formimit të Akademisë. Vit pas viti rezultatet kanë ardhur duke u rritur dhe përmirësuar, me të gjitha ekipet që kanë në gjirin e tyre elemente shumë të talentuar. Duke folur për to, drejtori Hasani thotë: “Ekipi U-19, në sajë të punës së shkëlqyer me trajnerin Beqiri dhe Kaçi, doli kampion i grupit të veriut, si dhe ditën e enjte ka finalen. Në të ka lojtarë të spikatur si Bajri, Miloti, Isufi, Brahimi, Sinishta, Tula, Pusi, Palushani, Rahova, Hysenaj etj, që janë një e ardhme e sigurt për Vllazninë A dhe Vllazninë B.” Në një farë mënyre, barometri për ekipet e akademisë janë edhe ekipet kombëtare të moshave, ku elementet cilësore nga Shkodra kanë qenë gjatë kësaj periudhe kontribuues në to. “Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për ne në aspektin e ekipeve kombëtare, ku jemi përfaqësuar nga një numër i madh lojtarësh si asnjëherë tjetër. Duhet theksuar se në ekipin U-15 kemi futbollistin tonë Albi Shpuza, pinjoll i familjes Shpuza. Në ekipin e U-17 jemi përfaqësuar në Turneun e Maltës me futbollistë si Grilan Shima, Rigers Xhahysa, Elton Shkoza, Eridon Krymi dhe Redis Gjurkaj. Me kombëtaren U-19 janë lojtarët Enes Isufi dhe Senad Hyseni, të cilët ishin pjesë e Turneut “Lazio Cup”, duke bërë një përfaqësim të mirë pranë kësaj skuadre, e cila u mund vetëm nga Italia në finale. Ndërkohë, edhe në ekipin U-21 kemi Belajd Pusin, Endi Brahimin, Denis Milotin dhe Armenis Kukajn, të cilët, ashtu si edhe emrat e mëparshëm, me cilësitë e mira që disponojnë janë një garanci për të ardhmen”.