Pas javës së 11-të në Kategorinë e Parë, skuadra e Vllaznisë kryeson Grupin A me 28 pikë, 4 pikë larg vendit të dytë, Erzenit. Por për trajnerin e shkodranëve, Hasan Lika, kjo diferencë duhet të ishte edhe më e madhe.
“Natyrisht që kemi gabuar në dy ndeshje, sepse kemi lënë 5 pikë, e sot duhet të kishim 33. Gjithsesi, skuadra ka treguar nivel të mirë, dhe nga ndeshja në ndeshje ka ardhur në rritje”, kështu theksoi fillimisht në deklaratën e tij për SportEkpres.com, trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika.
Ndërkohë që edhe për ndeshjen e javës së 12-të ndaj Dinamos, një nga ndjekset e skuadrës që ai drejton, Vllaznia ka vlerësim maksimal dhe është e përgatitur për ta fituar sfidën.
“Javë pas jave ndeshjet bëhen edhe më të vështira. Të gjitha skuadrat ne i kemi vlerësuar dhe i vlerësojmë maksimalisht, e po kështu edhe ndeshjen e radhës të javës së 12-të. Sepse Dinamo mbetet Dinamo, një emër i madh që meriton respekt e vlerësim. E dimë që do të jetë një sfidë e vështirë, por ne jemi përgatitur dhe do të luajmë në atë sfidë vetëm për tri pikët”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Vllaznisë, Hasan Lika.