Refik Halili ka folur në konferencën për shtyp, duke shpjeguar shkaqet e ndërprerjes së kontratës me trajnerin Ze Maria. Presidenti i Tiranës thekson faktin që palëve iu janë dashur vetëm pesë minuta për të rënë dakord, ndërsa Halili nuk përjashton dhe përgjegjësitë e tij për momentin e vështirë të klubit kryeqytetas.
“E organizuam këtë konferencë, pasi jemi një klub i madh dhe me histori. Duhet të jemi të kujdesshëm me çdokënd që na rrethon, të jemi të kujdesshëm kur të bëjmë këto ndarje. Këtu e filluam dhe këtu po e mbyllim. Kemi pasur një bashkëbisedim. Nuk kam folur prej kohësh, por merrem çdo sekondë me Tiranën. Asnjë afrim nuk është bërë pa konfirmimin tim. Për çdo vendim merret konfirmimi im. Një drejtues klubi duhtet të dijë gjithçka bëhet në klub. Nuk jam diktator.”
“Ze Maria ishte shumë i impenjuar për të bërë diçka shumë më të mirë, për t’u marrë dhe me akademinë, por dashje pa dashje, edhe pse kemi folur për të bërë disa ndryshime, kam dashur që të investoj, pasi infrastruktura është shumë e rëndësishme. Akademia do më shumë terren dhe kishim në plan që të kapnim të gjitha skuadrat që kanë stemën e Tiranës. Duhet pak ndërhyrje dhe ndihem gati për të mbrojtur stemën e klubit.”
“Është një trajner shumë korrekt dhe mjaft profesionist. Nuk kemi pasur asnjë thyerje disiplinore, kemi qenë korrekt me fazën përgatitore. I kemi vënë në dispozicion dhe kemi bërë këtë ndarje, edhe pse më vjen keq që nuk shkuam para me projektin. Nuk është në të mirë të askujt. Rezultatet na detyruan që ta mbyllim këtë marrëveshje. Javë pas jave kemi folur, ku vetë trajneri ka kërkesat dhe ankesat sa i përket lojës në fushë.”
“Ne nuk na ka mbajtur kontrata të lidhur, siç është thënë, por nuk ka shumë rëndësi. Nuk ka qenë ana ekonomike. Ka qenë një njeri shumë korrekt Ze Maria, pasi që në marrëveshjen e parë 1+1 që kishim, e ndryshuam dhe ndërtuam një akt marrëveshje të re. Ka qenë një kontratë dyvjeçare me të drejtë të klubit më pas për të rinovuar ose jo. Ne e mbyllëm marrëveshjen dhe kam vlerësuar shumë përpjekjet e trajnerit për ta mbajtur skuadrën dhe për të vijuar para.”
“Ne mund të ishim ndarë 10 ditë më para, por Ze Maria vijonte dhe punonte. Me keqardhje kemi siklete të mëdha pasi do e fillojmë nga e para dhe nuk është e lehtë. Sa i përket anës financiare, kemi folur dhe kemi thënë fjalët tona dhe e kemi mbyllur për 5 minuta. Do e keni në dorë dokumentin dhe ta shikoni vetë.”
“Kemi tifozeri të mrekullueshme, por kemi dhe presion. Sa herë që humbasim më pyesni për tifozët dhe ju a them se si tifozët tanë nuk ka në Shqipëri, pasi janë shumë. Nuk mund të them se tifozi është i keq. Tifozët duan rezultatet. Largimi i trajnerëve është vetëm për rezultatet. Flor Rizën e dëgjova dhe tha se te Tirana ka probleme. Ne njihemi të gjithë dhe nëse doni pyesni Dajën, apo Josën, nëse unë ndërhyj në formacion. Pyeteni dhe Ze Marian. Nga sot e tutje do të ndërhyj, do të pyetem unë dhe më pas do të vendoset, por nuk do ta bëj unë formacionin. Nuk do lejoj që ta bëjnë gazetarët. Nuk i toleroj më.”
“Nuk ka shtëpi pa probleme, por kanë qenë probleme të vogla dhe jo të mëdha. E rëndësishme mos të kemi probleme disiplinore apo të rënda, ku mund të ndodhë në çdo vend. Këto janë gjëra brenda skuadrës. Nuk ka persona që duan t’i bëjnë dëm skuadrës.”
“Nuk jam specialist i mirëfilltë i merkatos, por them se kemi goxha lojtarë, një numër të madh. Ne ndoshta na duhej një qendërsulmues. Pjesa tjetër them se janë nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Ne kemi bërë dhe takime me të gjithë stafin dhe skuadrën dhe kemi marrë edhe vendime se çfarë masash kanë lojtarët. Skuadra luan në fushë, por përgjegjësi mbaj dhe unë. Presioni është i madh. Mua më lodhi shumë, por nuk kam në plan të dorëzohem, por të bëj më të mirën, duke punuar, të jem afër skuadrës që të ecim para.”
“Ne për trajnerin ri do të flasim nesër. Nesër do të kemi përfundimin, pasi jemi në hapat e fundit dhe nesër në Skënder Halili ekipi do të jetë në fushë. Trajneri i ri do të jetë shqiptar.”