Ish-trajneri i Kombëtares Astrit Hafizi ka komentuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport” konferencën e fundit të trajnerit Kristian Panuçi, por dhe zgjedhjet e tij. Hafizi ka veçuar faktin se tekniku italian nuk e vlerëson kampionatin shqiptar, duke marrë dhe shembuj konkret.
“Duke marrë shkas nga konferenca për shtyp e Panuçit, edhe orari i pazakontë, pa diskutim tregon mungesë respekti për kampionatin shqiptar. Është mungesë respekti dhe vlerësimi për kampionatin dhe për Shqipërinë.
“Më bën shumë përshtypje edhe tensioni i trajnerit në konferenca. Drejtuesi i stolit duhet të japë shembullin dhe të jetë korrekt, jo të flasë me tendenca. Aq më tepër që ai është i huaj. Po të ishte trajner shqiptar, mediat tona mund ta kishin masakruar”.
“Të them të drejtën nuk e kuptoj: edhe kur do të justifikojë mosgrumbullimin e një lojtari, çfarë deklaratash jep në një anë dhe çfarë thotë në krahun tjetër. Trajneri dikur mori Alijin që nuk luante, edhe pse të gjithë e pyetën përse e grumbulloi. Në anën tjetër, për Abazajn thotë nuk e marr sepse nuk po luan. Përse flitet me standarde të ndryshme”.
“Abazaj, Guri, Gavazaj, sapo ikën nga Shqipëria për të luajtur jashtë, u grumbulluan menjëherë në Kombëtare. Cila është arsyeja? Kohët e fundit kemi pasur një rritje të nivelit. Kjo ndodhi edhe me Uzunin dhe mendoj që bëhet fjalë për mungesën e respektit për kampionatin”.