Nuk kanë të sosur skuadrat që kërkojnë shërbimet e sulmuesit. Së fundmi Vllaznia ka shfaqur interes për 23-vjeçarin, por Kukësi e ka bërë të qartë çmimin për lojtarin
Jurgen Zela
Kanë fituar titullin kampion, Kupën dhe Superkupën, por tashmë dëshirojnë që t’i fitojnë të tre trofetë në një sezon të vetëm. Tek Kukësi, siç ndodh çdo sezon ka nisur një projekt i ri me ambicie akoma më të mëdha. Oreksi vjen duke ngrënë dhe tashmë synojnë që të vijojnë në rrugën e suksesit që është ndërtuar në pesë sezonet e fundit. Me statusin e kampioni, të gjithë në verilindje janë të bindur se rruga për të mbrojtur fronin nuk do të jetë aspak e lehtë dhe do të ketë mjaft pengesa. Pas kupave të Europës u larguan disa lojtarë të rëndësishëm si Pejiç, Karioka, Dvornekoviç, por dhe Emini i cili është në një proces gjyqësor ka shumë pak gjasa të rikthehet. Në krahun tjetër u bënë disa afrime të bujshme, ku mund të veçohet Alijev, Bakaj, Nasar, Frashëri apo dhe rikthimet e Allës dhe Koliçit ishin lajme shumë të mira. Nëse merkato në hyrje mund të konsiderohet e mbyllur, diçka e konfirmuar dhe nga drejtuesit e Kukësit, në dalje ende ka zëra se nga Kukësi mund të ketë ndonjë firo.
GURI
Emri më i lakuar dhe i shumëdëshiruar ka qenë ai i Sindrit Gurit. Nga oferta konkrete me shifra të larta financiare deri tek dëshira huazimi. Nga Moldavia në Itali, Sherifi i Tiraspolit dhe Montova ishin gati që të investonin, por Kukësi nuk e ulte pazarin duke kërkuar 300 mijë euro. Në Shqipëri Kamza kërkoi shërbimet e shtatlartit në formë huazimi, por dhe në këtë rast nuk u gjet gjuha e përbashkët me Kukësin. Skuadra e radhës që ka shfaqur interes është ajo e Vllaznisë, e cila në sezonin e ardhshëm do të provojë të jetë pretendente me produkt vendi, ku pjesa më e madhe e organikës përbëhet nga shkodranë. Guri do të ishte një afrim që me siguri do të mbyllte merkaton e kuqebluve, por dhe në këtë rast me shumë mundësi përgjigja e Kukësit do të jetë negative. Më herët Vllaznia firmosi me Edon Hasanin, që sezonin e shkuar kishte luajtur me Kukësin. Kukësi e konsideron pjesë të planeve për sezonin e ardhshëm Gurin, dhe fakti se veç shkodranit ka vetëm dy sulmues duket mjaft e vështirë që të dobësojë repartin ofensiv. 23-vjeçari ka dhe një vit kontratë me Kukësin, por pavarësisht dëshirës së tij për të pasur një eksperiencë jashtë vendit me shumë mundësi do të vijojë të kontribuojë për kampionët.