David MekNamara nuk ishte aq i famshëm në nivel ndërkombëtar, sepse bëhej fjalë për një arbitër anglez të futbollit të niveleve jo të larta. Ai u bë i njohur, sepse në ndeshjen ndërmjet skuadrave të femrave të Mançester Sitit dhe Riding, harroi monedhën në dhomat e zhveshjes dhe për të përcaktuar cila skuadër do të niste topin e artë, mendoi një metodë alternative.
Arbitri i kërkoi dy kapiteneve të skuadrave, Stef Hugton dhe Kirsti Pirs të luanin lojën për fëmijë “guri, letra dhe gërshëra”. Fituesja do të kishte të drejtën të zgjidhte nëse ekipi i saj do të shkelmonte topin, apo nëse preferonte njërën prej gjysmëfushave.
Gjetja e arbitrit, nuk i pëlqeu drejtuesve të futbollit anglez. Ata e vlerësuan sjelljen e MekNamaras si jo serioze dhe jo profesionale për një ndeshje futbolli dhe për këtë arsye, e dënuan me 21 ditë pezullim nga aktiviteti.
Ngjarja bëri shumë bujë, por kolegët e tij nuk e pritën mirë ndëshkimin e “bilbilit”. Në shenjë solidarizimi, gjatë fundjavës së ardhshme, të gjithë arbitrat e Federatës Angleze do të përdorin të njëjtën metodë përpara ndeshjeve, për të përcaktuar ekipin që do të nisë topin e parë.