Një ditë më parë nuk doli në stërvitje, teksa objektivi për të ishte i qartë: të tërhiqte lejekalimin nga Tomori. Kishte biseduar më parë me drejtuesit dhe kishte marrë “jo” si përgjigje, por beratasit në fund janë dorëzuar dhe ia kanë dhënë lejekalimin kapitenit Ervis Çaço.
Oferta e Besës e kishte tunduar anësorin e djathtë, që tanimë do të jetë nën urdhrat e Gugash Maganit. Kavajasit synojnë rikthimin në Superiore dhe janë në garë me Bylisin. Çaço me eksperiencën e tij është një element që mund t’u bëjë punë në vazhdim.
“Klubi njofton se kapiteni Ervis Çaço nuk do të jetë lojtar i Tomorit për pjesën e mbetur të kampionatit. Drejtuesit kanë bërë të gjitha përpjekjet e veta për të mbajtur 30-vjeçarin, përpos dëshirës së tij për të vijuar karrierën në klubin e “KS Besa” Kavajë. Klubi falënderon Ervis Çaço për kontributin e dhënë me fanellën beratase dhe i uron suksese të mëtejshme në jetë e familje”, njofton klubi i Tomorit.