Milani arriti të siguronte një barazim përballë Betisit në transfertë, duke e mbajtur të hapur grupin F të Europa League. Kuqezinjtë renditen në vendin e dytë në kuotën e shtatë pikëve, njësoj me Olimpiakos, ndërsa Betis kryeson me tetë pikë.
Vëmendja e kuqezinjve është rikthyer në kampionat, aty ku e pret një sfidë shumë e fortë. Në “San Siro” vjen Juventusi dhe djemtë e Gatuzos janë gati për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Pepe Reina u aktivizua në ndeshjen e Europës, ndërsa komenton për “Sky Sport”, mbi barazimin 1-1 dhe sfidën përballë bardhezinjve të Alegrit, të dielën në mbrëmje.
“Në çdo moment vështirësie dhe sakrificash, kur arrin t’i kapërcesh bëhesh më i fortë. Treguam shumë gjëra pas asaj që ndodhi në ndeshjen e parë me Betis, tani duhet të kemi vazhdimësi. Juventus? Do të përballemi me përulësi dhe respekt, duke e ditur që janë një skuadër e madhe, por pa frikë dhe me besim te vetja jonë. Do të kemi shtyrjen e një ‘San Siro’ të tejmbushur dhe tani duhet të mendojmë për tre pikët.”
Spanjolli flet dhe për kolegun e tij, Xhanluixhi Donaruma, duke treguar objektivin e tij dhe vlerësuar cilësitë e portierit të talentuar.
“Mes portierëve dhe trajnerëve ekziston një grup i madh pune, i shëndetshëm dhe argëtues. Duam të rrisim nivelin, ndërsa objektivi im është të ndihmoj Donarumën të rritet, sepse ai i ka cilësitë për t’u bërë një fenomen”, përfundon portieri 36-vjeçar.