Eros Grezda e ka lënë pas dëmtimin që ka pasur në kyçin e këmbës, çka e penalizoi anësorin të jepte kontributin e tij për Osijekun në kupat e Europës. “Kam kaluar një fazë shumë të vështirë dhe tani jam në fazën e rikuperimit. Kam nisur stërvitjen normale me ekipin”, thotë fillimisht në “Supersport” gjakovari.
Shqipëria luan në shtator kundër Izraelit dhe Skocisë dhe normalisht Grezda do donte të ishte i gatshëm për të dhënë kontributin e tij. “Do doja shumë që të jem në formën time më të mirë, pasi nuk është problemi vetëm që të vij me kombëtaren. Duhet të jem në formën më të mirë dhe me të vërtetë shpresoj shumë që të jem gati për ndeshjet në shtator”.
Panuçi nuk do të ketë dy titullarë të rëndësishëm për ndeshjet në vijim. “Roshi dhe Sadiku kanë treguar që janë shumë të rëndësishëm për kombëtaren tonë dhe më vjen keq që nuk do të jenë në këto dy ndeshje për shkak të dëmtimeve të rënda. Unë besoj, se po të jem në formë të mirë, normalisht që do bëj maksimumin ta ndihmoj skuadrën dhe ta mbush vendin e tyre në një formë”, komenton Grezda.
PROBLEMATIKAT – “Një problem është se shumë lojtarë janë pa klube, ose janë të dëmtuar. Por kombëtarja nuk varet nga një, dy ose tre lojtarë. Besoj se kemi mjaft lojtarë kualitativë që mund të përfaqësojnë vendin tonë, kështu që shpresoj që Panuçi do bëjë punën e tij në mënyrën më të mirë, duke grumbulluar lojtarët në gjendjen më të mirë.
PANUÇI – “Kam folur vazhdimisht dhe i kam treguar se kam nisur përgatitjet me skuadrën dhe gjërat po shkojnë mirë tani”.
OSIJEKU – “Objektivat e skuadrës vjet ishin të shkonim në Europë, sivjet duam titullin. Jemi përforcuar dhe pritet që edhe unë të luaj tani. Besoj se do bëjmë më mirë se vitin e kaluar”.