Kur janë luajtur tetë javë kampionat, në Superiore dy janë shënuesit më të mirë dhe ata janë të huaj. Rexhinaldo i Kukësi ka gjetur pesë herë rrugën e rrjetës. Tre prej golave ia ka shënuar Tiranës, ndërkohë që në një ndeshje i ka shënuar me penallti Luftëtarit.
Të njëjtin numër golash ka realizuar edhe Latif Amadu. Sulmuesi i Teutës, në ndryshim nga ai i Kukësit, ka shënuar tre herë nga pika e bardhë e 11 metarshit, më shumë se askush tjetër. Ajo që vihet re ka të bëjë me faktin se në listën e shënuesve më të mirë në Superiore mbizotërojnë të huaj.
Momentalisht vetëm Asani, shqiptar i Maqedonisë, është mes pesë shënuesve më të mirë të kampionatit. Futbollisti i Partizanit ka shënuar tre herë, po aq sa Blazhevski i Tiranës dhe Bushiç i Flamurtarit. Që të pestë këta futbollistë nuk janë produkt i futbollit vendas.