Klejdis Branica u shpall golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Parë dhe kështu bën për vete trofeun “Këpuca e Artë”. Me 14 gola të shënuar ai tregoi se është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe ka lënë pas Fatjon Sefën e Lushnjes me 13 gola, si dhe Zhunior të Vllaznisë me 12 gola. Përmbysja erdhi në javën e fundit të kampionatit, kur shënoi tripletë në transfertën me Orikun.
Branica, në një deklaratë për SportEkspres.com, thekson se golat e shënuar prej tij tregojnë rikthimin në formën e tij më të mirë edhe bashkëpunimin e mirë me gjithë skuadrën. “Hyra në kampionat në javën e tretë dhe deri në mbyllje shënova 14 gola. Nuk jam i kënaqur me numrin, por jam i kënaqur se e fitova me meritë trofeun “Këpuca e Artë” në Kategorinë e Parë. Falënderim për gjithë skuadrën e Egnatias në këtë sukses”, shprehet peqinasi.
Më tej ai shton: “Ky ka qenë sezoni më i mirë për mua në Kategorinë e Parë, jo vetëm për 14 golat që shënova, por edhe për gjendjen time fizike e formën që tregova në fushën e lojës. Tashmë jam i gatshëm që të luaj edhe në Superiore, ku dy skuadra më kanë bërë ofertë një muaj më parë. Gjithsesi ka kohë për të vendosur”.
AGRON KAJA