Goga Basket katër fitore radhazi, Flamurtari triumfon lehtësisht në Shkodër

Gjergj Vyshka

Studenti – Goga Basket 57-89

(16-29, 10-24, 16-6, 15-30)

Studenti: Vata (9), Mema (26), Metani (8), Naçollari (2), Huta (6)/Duqi (1), Shima (3), Konini, Matka (2), Kerri Trajnere: F.Mitku

Goga Basket: Lalaj (20), Xhanaj (4), Mekkroi (16), Frieson (18), Mehmeti (11)/Aliaj (8), Papa (3), Memushi (4), Gjoshi (5) Trajner: M.Driza

Gjyqtarë: E.Tiko, J.Muho (Tiranë)

Goga Basket ka shënuar fitoren e katërt radhazi në kampionat, ndërsa dje, në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ka mundur lehtësisht Studentin 89-57. Për t’u evidentuar është fakti se amerikania Frieson, e cila dje ka realizuar 18 pikë, ka ulur në stol Aliajn, që tashmë duket se i duhet shumë punë për t’u kthyer në rolin e titullares. Sepse amerikania shtatlarte dhe e fortë fizikisht ka bërë gjithçka mirë. Madje duke qenë ndeshje e lehtë nuk ka luajtur në katër periodat, por ka hyrë në fushën e lojës atëherë kur i është dashur Gogës. Vazhdon të reflektojnë qëndrueshmëri në lojën e tyre Mekkroi, Lalaj dhe Mehmeti, ndonëse kapitenia nuk i ka pasur seri trepikëshat ashtu sikurse ka bërë në ndeshjen e parë të kampionatit me Tiranën. Xhanaj ndoshta edhe duke qenë larg koshit e ka pasur të vështirë për ta gjetur atë. Por ajo që duhet theksuar, duke shtuar dhe aseksorët e tjerë si Papa, Memushi, Gjoshi, Goga Basket vijon të jetë skuadra më e plotësuar, por mbi të gjitha një kundërshtar që duket se në këtë kampionat do të jetë për t’u mundur. Studenti ka dalë me shumë vështirësi në lojë, ndërsa Mema mbetet qendra e rëndesës për skuadrën e Mitku. Kur ajo ka bërë gjithçka mirë, sidomos në gjuajtjet për tre pikë, evidentuar në periodën e tretë, Studenti i ka hapur punë Gogës. Një ndeshje e një niveli të pëlqyeshëm, por që ftohtësia që krijon në përgjithësi në stinën e dimrit salla kryesore e “Asllan Rusit” ia ul rëndësinë.

 

Vlonjatet e Toskës triumfojnë pa vuajtje në Shkodër

Vllaznia – Flamurtari 66-74

(19-19, 15-23, 14-25, 18-7)

Vllaznia: Mustafa, I.Dashja, Basha, Berrania, Lugaj, Kraja, Verri, Rreshpja, Sinani Trajner R. Rasha

Flamurtari: Plasa, Bleta, Nikpajljeviç, Çorto, Hasanaj, Kostallari, Lloi, Myrto, Palko, Rrapaj, Zykaj Trajner: V. Toska

Gjyqtarë: H.Trajer, S.Tafilica (Shkodër)

Edhe pse kanë luajtur në fushën e tyre, basketbollistet e Vllaznisë nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë skuadrës kampione. Flamurtari i Vlorës, i drejtuar nga Viron Toska, ka mposhtur Vllazninë duke e mundur në fushën e saj me rezultatin 66-74. Ndeshja në fjalë është luajtur paraditen e së martës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në praninë e një numri fare të vogël spektatorësh. Edhe pse në periodën e parë basketbollistet shkodrane kanë arritur të barazojnë në shifrat 19-19 vazhdimi ka qenë problematik. Sepse Vllaznia, me vajza të reja, nuk ka arritur t’i bëjë ballë Flamurtarit.  Në vijim formacioni kuqeblu, që përbëhet nga vajza të reja, nuk ka arritur të frenojë basketbollistet me përvojë vlonjate, që janë edhe kampione kombëtare në fuqi. Referuar ecurisë së lojës në dy periodat e tjera skuadra mysafire, në gjirin e së cilës bëjnë pjesë edhe basketbolliste të huaja, arrin të fitojë respektivisht 15-23 dhe 14-25. Shifra këto që krijojnë edhe diferencën e garancisë së marrjes së fitores, e cila arrin në shifrat 48-67. Fitorja e periodës së katërt nga Vllaznia në shifrat 18-7 ka vlejtur vetëm për statistikë, sepse nuk arrin të përmbysë avantazhin e basketbollisteve vlonjate, të cilat e mbyllin të gjithë ndeshjes me shifrat 66-74.

Gaspër Marku

 

Tirana “shkërmoq” Skënderbeun, dëmtohet Eda Lllazari

Skënderbeu – Tirana 43-69

(12-14, 12-16, 13-17, 6-22)

Skënderbeu: Toska, Doja, Llazar, Jahollari, Gjika/Pëllumbi, Haris, Shallo, Myzeqari, M. Loçi, R. Loçi, Hysenllari Trajner: B. Topi

Tirana: Milovanoviç, Pavllov, Jaçe, Baraj, Popoviç/G.Bujari, Këlleçi, Gjoni, E.Bujari, Qypi, Malësia, Nelaj Trajner: R. Avrami

Gjyqtarë: Y. Harasani, K. Canaj (Tiranë)

Korçaret e koshit vazhdojnë serinë e humbjeve në superligën shqiptare të basketbollit duke qëndruar edhe pas kësaj jave në fundin e tabelës së klasifikimit. E ajo që mbetet të thuhet pas katër javësh është fakti se janë kandidatët kryesor për vendin e fundit në renditje, pa thënë që më pas do të jenë ato që do të zbresin në grupi B të basketbollit të femrave. Edhe pse ndeshja u luajt në temperatura vërtet të ulëta, ku në Pallatin e Sportit nuk ishin më shumë se 20 sportdashës, ajo që të bën keq është gjendja e dobët e korçareve. Tirana udhëtoi me mungesa dje në Korçë dhe në fund ia doli, teksa fitoi me 26 pikë diferencë. Dy periodat e para të takimit kanë dhuruar një nivel të ulët në parket, teksa kjo konfirmohet qartë nga fakti se në gjashtë minutat e para rezultati ishte 2-3 për mikeshat. Pra dy kosha në gjashtë minuta, ndërkohë që më pas tiranaset arrijnë të fitojnë ngushtë këtë periodë 12-14. Sërish starti i 10-të minutave të dyta ishte i vakët, ku korçaret vuajnë pasaktësinë në tabelë dhe rezultati shkon 14-21 për Tiranën. Skënderbeu arrin ta përmbysë për një moment duke çuar shifrat në 24-22 dhe vetëm kaq, pasi, deri në fund të periodës së dytë, bardheblutë shënojnë edhe 8 pikë të tjera dhe përpara se të shkohet në dhomat e zhveshjes rezultati fiksohet 24-30 për mikeshat nga kryeqyteti. Perioda e tretë ishte edhe më dramatikja për Eda Llazarin, që deri në këtë moment kishte shënuar 19 pikë dhe ishte lojtarja më e mirë në parket. Dëmtohet në gju dhe loja ndalet për më shumë se dy minuta për t’i ardhur në ndihmë lojtares korçare. Një dëmtim që nuk dihet se sa kohë do ta lerë jashtë parketit. E pas këtij momenti Tirana e ka edhe më të lehtë teksa vetëm thellon avantazhin duke mbyllur periodën e tretë 13-17 dhe duke çuar rezultatin në 37-47. 10 minutat e fundit të ndeshjes ishin thjesht sa për formalitet me Tiranën që nuk “ngopet” së shënuari dhe në fund rezultati fiksohet në 43-69. Pikëshënuesja më e mirë ishte Milovanoviç me 22 pikë, ndërkohë që për Skënderbeun, Llazari, me 19 pikë, edhe pse e dëmtuar.

Leonard Trebicka

 

Basketboll-Kategoria e Parë, grupi A Femra

Java e katërt (31 tetor 2017)

Vllaznia – Flamurtari      66-74

Skënderbeu – Tirana        43-69

Studenti – Goga Basket     57-89

Renditja

Skuadra            N    F    H    Koshaverazhi         P

Goga Basket     4    4    0    355-251              8

Tirana               4    3    1    324-218              7

Flamurtari         4    3    1    310-271              7

Vllaznia            4    1    3    239-300              5

Studenti           4    1    3    247-322              5

Skënderbeu      4    0    4    208-321              4

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online