Ole Gunar Solskjaer ka përforcuar repartin e mbrojtjes. Mançester Junajtid ka arritur akordin me Kristal Palas për transferimin e Aron Van Bisakës në “Old Trafford”, sipas raportimeve të “Goal”. 21-vjeçari ishte ndër surprizat më të bukura të sezonit të kaluar në Premier dhe “djajtë e kuq” kanë paguar 55 milionë sterlina për kartonin e tij.
Mbrojtësi i djathtë, i cili numëron dy ndeshje të luajtura me Anglinë U21, do të kryejë vizitat mjekësore sapo të rikthehet nga Botërori që po zhvillon me kombëtaren angleze të 21-vjeçarëve.
Van Bisaka kaloi në janarin e vitit të kaluar tek ekipi i parë i Kristal Palas dhe deri tani ka zhvilluar 46 ndeshje. Ai është një anësor modern, i cili është i fortë në mbrojtje dhe tepër aktiv në fazën sulmuese.
Kjo është blerja e dytë e Mançester Junajtid pas sigurimit të shërbimeve të Daniel Xhejms, 21-vjeçarit uellsian. Junajtid pagoi 17 milionë euro te Suonsi për kartonin e lojtarit, i cili bën mirë të dy krahët e sulmit.