Artan Mërgjyshi ishte i pesti trajner që e la në mes punën e tij në Superiore. Vetëm 10 javë qëndroi në krye të Laçit dhe humbja me Kukësin u pasua me largimin e tij. Sezonin e shkuar, në këtë periudhë, plot gjashtë trajnerë ishin ndryshuar në ekipet e Superiores, me Luftëtarin që kishte bërë dy lëvizje.
Këtë sezon i pari që iku ishte Bledar Devolli. Gjirokastriti u shkarkua nga Kamza pas javës së tretë të kampionatit. Nuk munguan akuzat për ndërhyrje, ndërkohë që disfata me Teutën 1-0 në “Niko Dovana” ishte e fundit për teknikun në krye të skuadrës periferike të kryeqytetit. Klodian Duro e zëvendësoi.
Milosh Kostiç qëndroi vetëm katër javë në krye të Luftëtarit. Slloveni i humbi të katër ndeshjet e para të kampionatit dhe në Gjirokastër gjetën trajnerin e ri. Gentian Mezani nga ai çast mori drejtimin e bluzinjve. Momentalisht e kanë lënë vendin e fundit.
Ze Maria ishte “koka” tjetër që u pre në Superiore. Tetë javë drejtoi në Superiore italiani. Humbja e derbit lëkundi pozitat e teknikut, ndërkohë që mori edhe një shans tjetër. Fitorja me Kastriotin ishte detyrim. Humbja me Laçin ishte fatale dhe bardheblutë mbetën pa trajner. Ardian Mema është aktualisht trajneri.
Elvis Plori mbylli një fazë të plotë në krye të Kastriotit. Pas humbjes me Kukësin dha dorëheqjen, që e kishte paralajmëruar më parë. Stavri Nica kishte dy javë që i ndiqte krutanët nga tribuna dhe pas disfatës me Kukësin mori drejtimin e Kastriotit.
LËVIZJET E TRAJNERËVE NË SEZONIN 2017-2018
STAVRI NICA (Java e tretë, pas Kukësi-Laçi 3-0)
Dorëhiqet pas humbjes me Kukësin. Tre golat e pësuar, por edhe problemet me gjetjen e golit nuk u kapërdinë nga durrsaku. Pas ndeshjes me verilindorët Nica nuk u kursye në deklaratë, ndërkohë që e pasoi në pankinë Gentian Mezani.
DANIEL FERNANDEZ (Java e pestë, pas Kamza-Luftëtari 1-2)
Humbja me Kamzën bëri që te Luftëtari të prishej qetësia. Penalltia e Mirakës, i cili goditi me kokë Stevan Raçiç, bëri që Fernandez ta mbyllte aty aventurën në Shqipëri. Gjithashtu u ndie i tradhtuar nga Luis Kurbelo, që supozohej të ishte ndihmësi dhe e pasoi në pankinë.
LUIS KURBELO (Java e gjashtë, pas Partizani-Luftëtari 2-0)
Vetëm një javë dhe uruguaiani bëri gati valixhet. U mund në kryeqytet nga Partizani dhe te Luftëtari e kuptuan se duhej një “stekë” e vjetër që e njeh kampionatin. Hasan Lika u emërua trajner dhe e mbylli kampionatin në vendin e tretë.
ARTAN BANO (Java e gjashtë, pas Lushnja-Laçi 0-3)
Nuk mbahej mend që kur tekniku lushnjar ishte në krye të verdhejeshilëve. E ngjiti ekipin në Superiore, u përball me problemet e fushës, ndërkohë që rezultatet e dobëta e bënë të mendohej mirë. Pas humbjes me Laçin, Bano u dorëzua. Hysen Dedja e pasoi, por nuk e mbylli sezon me verdhejeshilët.
ARMANDO CUNGU (Java e gjashtë, pas Kamza-Vllaznia 1-0)
Edhe pse kaloi një vit shumë të vështirë, duke shpëtuar nga rënia prej Superiores vetëm në javët e fundit, Cungu e kuptoi se gjërat nuk po ndryshonin dhe pasi u mposht nga Kamza dha dorëheqjen. Një trajner kampion e pasoi: Ernest Gjoka. Ky i fundit dy javë para fundit u largua.
MARK JULIANO (Java e nëntë, pas Kamza-Partizani 1-0)
E prezantuan si “bukurosh”, por pas humbjes me Kamzën për presidentin Demi Juliano nuk ishte më ai bukuroshi. U shkarkua dhe normalisht mori edhe ca miliona me vete. Starova ishte “gomonia” e shpëtimit fillimisht, për t’i hapur rrugën Klevis Dalipit.