“Gjyqtarët nuk janë goditur, kemi pamjet. Çfarë i tha delegati Kokëdhimës?!”

0

Në Berat vijojnë të merren me dënimin që Komisioni i Disiplinës u dha pas ndeshjes me Apoloninë. Tomori humbi në tavolinë, ndërkohë që u dënua të luante edhe katër takime në fushë asnjanëse. Gjithashtu beratasit u gjobitën dhe e pësuan edhe trajneri e zëvendëstrajneri. Të dy janë të pezulluar.

Tashmë çështja do të shkojë në CAS, të paktën kështu mendojnë në Berat për momentin. Kryebashkiaku Petrit Sinaj, në një lidhje direkte me emisionin “Kampionët” në Vizion Plus ka kërkuar garanci nga FSHF për garën, ndryshe do të bojkotojnë kampionatin.

Problemet në ndeshjen me Apoloninë nuk mohohen, por gjithçka sipas tyre ka ndodhur për shkak të gjykimit të arbitrit Elidon Hala. Ky i fundit ka qenë i padëshiruar në Berat dhe sipas Sinajt ai qëllimisht ishte vendosur të gjykonte takimin Tomori-Apolonia.

Në lidhje me dënimin e dhënë ka folur edhe Alban Pambuku, drejtor i sporteve në Bashkinë e Beratit. “Është një gjë krejtësisht absurde. Edhe deklaratat e gjyqtarëve janë bërë me qëllim tendencioz, që të dënohemi ne. Kemi të gjitha pamjet e sigurisë brenda dhomave të zhveshjes, ku duket se askush nuk është futur te gjyqtarët për t’i goditur. Nuk e kuptojmë se cila është arsyeja përse e kanë shpikur një gjë të tillë bluzat e zeza”, është shprehur Pambuku.

Më tej ai ka treguar se ka shumë donatorë të gatshëm në Berat, të cilët dëshirojnë të paguajnë 48 mijë eurot që duhen për ta apeluar vendimin e Komisionit të apelit në CAS. Pambuku veçon edhe një takim të delegatit të ndeshjes, Petrit Haxhia, me presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima.

“Mua më lind dyshimi, çfarë diskutoi Petrit Haxhia me Kokëdhimën. Mos vallë i tha presidentit të Apolonisë, “qetësohu, se do ta rregullojmë këtë punë”. Ky është dyshimi ynë, që u vërtetua pas hartimit që bënë gjyqtarët që solli dënimin tonë”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.