Gjoka rrëfen makthin Vllaznia: U futa në një luftë që nuk ishte e imja

Ish-trajneri i Vllaznisë flet për herë të parë që prej largimit nga drejtimi i skuadrës shkodrane. Rrëfimi i veçantë, nga fillimi e deri në ditën e largimit, gabimet dhe pengjet, të papriturat, sulmet fizike e verbale, miqtë dhe armiqtë, dhimbja për fundin e hidhur të sezonit.

Kur verën e shkuar u largua nga drejtimi i Kukësit pas disa shtyllash e një penalltie të humbur që çuan tek eliminimi nga Sherifi i Tiraspolit në Champions League, me siguri Ernest Gjoka ka menduar se nuk kishte dhimbje më të madhe se të të largonin në atë mënyrë, pak centimetra dhe sekonda larg kualifikimit në turin e dytë kualifikues. E kishte gabim: në jetë ka gjithmonë më keq dhe tani e ka kuptuar, sepse në Shkodër ka përjetuar diçka që nuk e priste dhe nuk e mendonte kurrë. Vllaznisë i ndodhi gjëma e rënies nga kategoria, që për të folur troç, ishte një gjëmë që ishte në ajër prej kohësh, të paktën që vjet, kur me shumë vuajtje e fat u shmang zbritja nga kategoria. Gjoka e mori Vllazninë në një moment delikat, në fund të vitit të shkuar, kur Cungu nuk kishte duruar më dhe kishte thënë “Mjaft, nuk punohet në këtë ambient e me këto kushte!”. Edhe pse kishte folur shpesh me tone të larta, Cungu asnjëherë nuk ka folur hapur për gjithë problemet që po mbytin Vllazninë dhe Gjoka nuk e dinte çfarë e priste. Shkoi për t’u marrë me sport, por i kaloi disa muaj në Shkodër me polici nga pas, me kërcënime, sulme fizike e debate me disa prej gazetarëve. “Gabova që nuk ika që kur ndodhi agresioni fizik”, thotë Gjoka me shumë keqardhje, ashtu si merr përsipër përgjegjësinë që i takon: “Kërkoj falje, por për aq sa më takon si trajner, sepse nuk mund të pranoj që të krijohet një cirk mediatik sikur në Shkodër gjithçka erdhi për fajin tim dhe çdo gjë ishte në rregull përveç meje”. Në këtë intervistë Gjoka i thotë të gjitha, ose thuajse të gjitha, sepse si zakonisht, ruan edhe diplomaci, pa kaluar në përgjigje direkte për ata që në këto muaj çfarë nuk kanë thënë kundër tij.

– Gjoka, në tetor të vitit të shkuar more drejtimin e Vllaznisë me një lëvizje të beftë. A u mendove gjatë dhe pse more përsipër një mision që dukej shumë i ndërlikuar?
– Në momentin që Cungu u largua, një miku im, i cili ishte mik edhe me kryebashkiaken Ademi, më propozoi të merrja drejtimin e Vllaznisë. E kisha me shumë siklet, sepse e dija si funksionojnë klubet e bashkive, e kam provuar edhe më parë. Bëhet fjalë për klube pa mbështetje, pak a shumë jetimë. Megjithatë, ideja ishte që në janar deri në mars diçka do ndryshonte te Vllaznia, një person ose disa persona do e merrnin Vllazninë, duke e privatizuar. Ekzistonte një projekt ambicioz, në bazë të së cilit Vllaznia do të kthehej shumë shpejt në një klub modern, të organizuar dhe të drejtuar nga një dorë e fortë, që do të kontrollonte gjithçka. Kjo gjë ma prishi mendjen, por që kur shkova te Vllaznia e pashë që diçka nuk shkonte.
– Nuk shkonte me klubin, apo skuadrën?
– Që në prezantim gjeta mbi 30 lojtarë në ekip, ndërsa realisht rreth 14 lojtarë vlenin. Pashë që te Vllaznia kishte lojtarë që nuk vlenin këtë sezon për ekipin e parë. Fola me të gjithë, u thashë hapur: “Deri në dhjetor do të qëndroi në ekipin e parë, por më pas duhet të kërkoni sistemim”. Që aty nisën lëvizjet e njerëzve, që krijonin probleme, u krijuan situata stresuese. Në momentin e parë nuk e kuptuan që do ndryshonin gjërat me ardhjen time dhe këtu ishte problemi madhor, sepse unë u futa në një luftë që nuk ishte e imja.
– Çfarë lufte?
– Gjeta një Vllazni të ndarë në parcela, në mënyrë figurative, skuadra ishte ndarë si toka, dikush kishte një rol në mesfushë, dikush një mbrojtës krahu, dikush sulmin dhe unë pa dashje i prisha këto ekuilibra. I thosha kryetares së bashkisë që shumë lojtarë nuk ishin për Vllazninë, që në fund të vitit duhej të iknin. Që në momentin e parë pata një konflikt të vogël me 2-3 persona, të cilët më takuan dhe kërkonin llogari pse fëmijët e tyre nuk ishin pjesë e ekipit, apo e 18-shes, apo nuk përfshiheshin më shumë në ndeshje e stërvitje. Shumë njerëz u trembën se mos unë kisha shkuar për t’u hequr kontratat lojtarëve, por kjo nuk ishte fare çështje e imja. Unë thjesht doja një skuadër kompetitive, sepse skuadra ishte në një moment shumë të vështirë, si nga ana psikologjike, ashtu edhe ngjana e rezultateve. Skuadra kishte defekte në disa elemente kyçe dhe repartet nuk ishin të kompletuara, pas lojtarët që ishin aty nuk ishin cilësorë dhe shumë prej lojtarëve me zor gjenin hapësirë tek ekipi B, jo më tek A-ja.
– Megjithatë, dukeshin vogëlsira krahasuar me atë që ndodhi më vonë, me agresionin fizik.
– Gradualisht, situata u acarua duke shkuar te konflikti i parë në dhjetor, aq sa u detyrova të shkoja në polici. Kishte persona që më thoshin “fëmija jonë, vëllai jonë apo nipi jonë vlejnë, na kanë thënë trajnerë të tjerë, por nuk i do ti”. Gjërat u rënduan dhe u bënë agresive para fazës përgatitore të Vllaznisë. Fazat te Vllaznia kanë qenë gjithmonë me 30-40 lojtarë, diçka e pakonceptueshme nga ana profesionale. Në atë moment më mbështeti shumë kryetarja e bashkisë dhe për këtë e falënderoj, sepse në fazë përgatitore shkuam me 14 lojtarë, duke pritur edhe ndonjë përforcim. Këtu agresiviteti arriti kulmin, ndihesha si në qendër të një vullkani, ku herë shkoja poshtë e herë shkoja lart. Shumë debate, mesazhe, fjalë, gjëra që më transmetoheshin, të tipit “ti duhet të ikësh nga Shkodra, sepse ne kemi trajnerët tanë”.
– E mendove largimin?
– E mendova seriozisht largimin, në shumë momente, por një miku im i mirë ndikoi që të mos largohesha, të vijoja punën. Kështu ndodhi, ecëm përpara, bëmë merkato, aq sa mundëm. Nuk ishte e lehtë, dy nga ata lojtarë pranuan me vështirësi sepse nuk dëshironin të luanin në ekip bashkie. Që kur do luanim ndeshjen e parë, pashë një reagim jashtëzakonisht agresiv dhe aty u gatua çorba e helmuar, ku kishte edhe 2-3 elemente që mikrofonin apo lapsin e kishin kthyer në pushkë, duke sulmuar çdo ditë e duke nxitur qytetin kundër klubit, skuadrës dhe sidomos meje. Pikërisht në atë periudhë tensioni arriti kulmin dhe ndodhi edhe agresioni fizik.


– A është rastësi që pikërisht në atë moment që skuadra dukej në rrugën e duhur ndodhi agresioni?
– Mendoj se erdhi sepse shumë hije që qëndronin rreth Vllaznisë, që e kishin lidhur për këmbësh për disa vite me radhë për interesat e tyre personale, nuk dëshironin që të ecnim mirë.
Emrat?
Nuk i them emrat, sepse së pari nuk më lejohet ligjërisht dhe së dyti është një çështje më e madhe se thjesht e imja. Dua vetëm të them se në Shkodër ka pasur shumë njerëz që natën të vrasin dhe në mëngjes shkojnë me familjarët e viktimës për të vajtuar. Ashtu si do t’i falënderoj gjithmonë dhe nuk do t’i harroj ata që më kanë ndenjur pranë, ashtu nuk do t’i harroj edhe ata që janë bërë pjesë e çorbës së helmuar deri te momenti i agresionit. Të gjitha gjërat do t’i vlerësojë koha dhe do t’a nxjerrë koha në pah, kush e rrëzoi Vllazninë.
Pse Gjoka duhej sulmuar, duhej kërcënuar? Kujt i prishte kaq shumë punë?
– Sepse Gjoka prishi ekuilibrat, hoqi parcelizimin e Vllaznisë, arriti të krijonte një marrëdhënie pozitive me ekipin B, duke marrë disa lojtarë që e meritonin në ekipin e parë. Në Shkodër nuk ishin mësuar kështu. Në Shkodër ishin mësuar që më i forti, kush ka mbështetje më të fortë farefisnore apo mediatike luan gjithnjë. Agresioni fisnik ishte kulmi i një situate që ishte e rëndë prej kohësh.
– Pse nuk u largove pas agresionit?
– E pranoj, është një ndër gabimet e mia më të mëdha që nuk u tërhoqa. Unë isha në mesin e një lufte brenda llojit, luftë për të kontrolluar dhe mbajtur peng Vllazninë, për ta shfrytëzuar, për t’i marrë të mirat materiale. Pranova të vazhdoj edhe falë këmbënguljes së Valter Fushajt, i cili ka qenë personi që ka ndikuar për të shkuar në Shkodër dhe më ka qëndruar shumë pranë në çdo moment. Megjithatë, që në atë moment qetësia nuk ekzistonte më. Nuk mundet një trajner të punojë i ruajtur nga shteti. Çfarë i bëri Gjoka Shkodrës apo hijeve që i qëndrojnë pranë Vllaznisë, që janë të ndërthurur me disa elemente, nga të cilët disa kanë kalemin, disa grushtin e disa thikën? Çfarë bëri Gjoka që nuk duhej bërë dhe duhej larguar patjetër nga Shkodra? Që atë moment duhej të largohesha, të mos merrja pjesë në një betejë që nuk më përkiste.


– Si mund të punohet, duke qenë i shoqëruar me policë?
– Nga mëngjesi deri në darkë më ruante policia. Sa dilja nga pallati më merrte në dorëzim agjenti i krimeve dhe qëndronte pas meje deri në darkë. I falënderoj për gjithçka kanë bërë, më kanë qëndruar shumë pranë, aq sa më thoshin për të më qetësuar: “Profesor, rri i qetë se nuk është më çështje shteti, sepse po ndodhi sërish duke qenë ne këtu, futen në gjak edhe me fisin tonë”. Çdo mbrëmje hynte njëherë në pallat agjenti i krimeve, pastaj kaloja unë për në shtëpi. U krijua një moment shumë stresues dhe skuadra e kuptonte këtë gjendje. Skuadra e shihte që policia ishte prezente në çdo moment dhe kështu nuk luhet futboll. Kishte momente që nuk e dija pse vazhdoja, thjesht për të çuar deri në fund atë që kisha marrë përsipër, për sedër, vazhdoja duke turfulluar me vete. Ishte si një betejë kundër të padukshmes: është si të kesh malin përballë dhe të kesh edhe oksigjenin që nuk e sheh. E shihja që mungonte oksigjeni. Edhe skuadra herë pas here shfaqte shenja stresi e trysnie të madhe, mjaftonte një rezultat negativ dhe lojtarët e humbnin shumë lehtë qetësinë, ishin të stresuar. Kishte raste që i thosha stafit të kontrollonin makinën nga poshtë, kur dilnin për në stërvitje. Ishte ambient tepër mbytës, tani e kam të qartë pse ndodhnin këto gjëra. Që nga momenti që doli dikush që kërkonte Vllazninë, për të qenë president, u trembën shumë të tjerë, që qëndrojnë si hije nga pas dhe e kanë marrë peng Vllazninë prej 6-7 vitesh dhe e kanë shfrytëzuar, duke e trajtuar Vllazninë si tortë, për të marrë një tortë. Me president të ri, me privatizim, këta njerëz largohen një herë e përgjithmonë nga Vllaznia, nuk kanë ç’ti marrin më. Këtu u gjenda në mes të një zjarri ku nuk duhej të isha, në një luftë që nuk isha e imja.
Kur e menduat largimin realisht për shkak të rezultateve?
– Në fazën e katërt desha të largohesha së pari pas humbjes me Luftëtarin në Shkodër, por Ademi dhe lojtarët këmbëngulëm që të vazhdonim, sepse besimi ishte i madh. Edhe tani jam i bindur ëq ajo skuadër nuk ishte për të rënë nga kategoria, jam i bindur që po të kishte president dhe të mos kishte njerëz që i qëndrojnë pas dhe përdorin edhe një pjesë të medieve, me sulme gjatë gjithë javës, ajo skuadër nuk kishte për të rënë. Nuk i them të gjitha këto që unë nuk kam faj, përkundrazi, edhe unë kam faj që Vllaznia shkoi deri në këtë pikë. Kërkoj falje, por për aq sa më takon si trajner, sepse nuk mund të pranoj që të krijohet një cirk mediatik sikur në Shkodër gjithçka erdhi për fajin tim dhe çdo gjë ishte në rregull përveç meje E them përsëri: “Ku ishte ai faj aq i madh dhe çfarë lamë pa bërë për të mirën e Vllaznisë? Nuk punuam në stërvitje, nuk punuam për të ndryshuar mentalitetin, nuk i bëmë gjërat si duhet?”. Mendoj se dhamë gjithçka për t’i ndryshuar gjërat, nuk ia dolëm mbanë dhe për të këtë ka shumë arsye. Unë marrë përsipër fajin që më takon, por nuk e meritoj gjithë këtë baltë të hedhur ndaj meje, jo nga qyteti dhe shumë intelektualë e njerëz të sportit. Këtyre u kërkoj falje për ato që bëra dhe nuk bëra dot, por suksesi dhe dështimi nuk janë kurrë plotësisht të tuat.


– A sheh të ardhme pozitive për Vllazninë?
– Mendoj se Vllaznia do shpëtojë kur atje të vijë ndryshimi dhe të gjendet një president, por e shoh shumë të vështirë. Presidenti gjëja e parë që do duhet të bëjë është të marrë një plug dhe të heqë barërat e këqij dhe helmin që është derdhur në atë tokë prej vitesh. E di që ajo pjesë që më ka sulmuar në mënyrë sistematike do vazhdojë ta bëjë këtë gjë sërish, do gjenden sërish njerëz që do të shfrytëzohen për të folur keq dhe për t’i vënë kundër meje. Unë i kërkoj ndjesë gjithë pjesës që ka pasur besim tek unë dhe më kanë mbështetur edhe në situatat më të vështira, por jam ende në dilemë nëse mund të bëja dot më shumë se kaq.
– Rroga juaj, shumë është përfolur?
– Puna e rrogës ishte e tillë: nuk brëa pazar fare për rrogën. Që kur u takova me kryebashkiaken, rroga ishte e caktuar nga bordi mbikëqyrës dhe unë nuk bëra asnjë kërkesë, sepse ishte një telash më vete mbledhja dhe aprovimi i pagave. Pranova të vijoja me rrogën e paraardhësit tim, duke marrë përsipër që edhe rroga e përgatitësit atletik të mbulohej nga ne, sepse më parë ishin 3 persona në staf, ndërsa unë isha vetë i katërt. Nuk ka qenë fare çështja për të përfituar financiarisht, por thjesht që të shkoja te Vllaznia për të bërë diçka të mirë, që në mars apo në prill të vinte dikush që të mbyllte handikapin e këtyre viteve dhe të riorganizohej klubi. Çështja e rrogës është thjesht vazhdimi i hedhjes së llumit dhe vazhdimi i abuzimit që është kryer ndaj meje në mënyrë të vazhdueshme.
– A do e ribëje zgjedhjen e marrjes së Vllaznisë, nëse kthehesh në kohë?
– Kur u futa brenda situatave të qytetit, e gjeta veten brenda një vullkani dhe me shumë keqardhje e them që nuk është qyteti i Shkodrës i tillë. Futbolli i Shkodrës është kapur nga probleme madhore dhe nuk mund ta them që po të kthehesha pas, do i futesha sërish kësaj aventure. Nuk e kam hallin te sharjet e kritikat, ato janë normale në një qytet ku shahen të gjithë, duke përfshirë trajnerin Armando Cungu, për të cilin mendoj se ka qenë një ndër trajnerët më të mirë që ka nxjerrë Shkodra në dekadën e fundit, por atje është shumë e vështirë të punohet, aq sa edhe Barcelona do dështonte me atë trysni.
– Ke thënë shpesh që shihje kë kishe përpara në renditje dhe se gara për mbijetesë nuk zhvillohej me Teutën. Pse?
– E kam thënë sepse Teuta ka president, ndërsa Vllaznia është ekip bashkie, Kamza është ekip bashkie më së shumti, Lushnja është ekip bashkie. Në një kampionat kaq të fortë sa Superiorja, prania e një presidenti është një suport i jashtëzakonshëm. Ndaj edhe unë shihja gjithnjë përpara në renditje.
Pengu më i madh?
– Ndeshja me Luftëtarin në Shkodër, ishte ndeshje vendimtare.
– Largimi pas ndeshjes kundër Partizanit?
– Nuk ika si frikacak, kisha folur gjithë javën me skuadrën dhe shpresoja, prisja një reagim krenarie, nervi. Me Partizanin u ndjeva shumë keq, kur pashë skuadrën të dorëzuar. Nëse Vllaznia do luante fort, do jepte gjithçka, do sakrifikonte, edhe nëse mundej nga një Partizan i fortë, me emër të madh, unë do të vazhdoja. Duke parë si u interpretua ndeshja, u ndjeva në pozicionin më të vështirë, duke parë një ekip të dorëzuar, pa fuqi, që nuk mbante dot ngarkesën psikologjike. Që aty nuk kishte më vlerë të vazhdoja, sepse në dy ndeshjet e fundit gjërat do shkonin ashtu si shkuan, me apo pa mua. Nuk ika si frikacak, nuk e bëra as kur duhej të kisha realisht frikë. U largova vetëm sepse e kuptova që nuk kisha më çfarë t’i jepja një skuadre të dërrmuar në çdo drejtim.
– Si u ndjeve kur pe Partizanin të luante aq fort ndaj Vllaznisë dhe në fund të mundej lehtësisht nga Kamza?
– Kjo nuk është çështja ime, nuk mund të flas për sjelljen e Partizanit apo mëritë e vjetra të Partizanit.
– Privatizimi i famshëm, pse gjithë ky kaos dhe sa ka ndikuar?
– Gjithë situata ka ardhur nga mungesa e privatizimit. Nëse Vllaznia do të shpëtojë, duhet të privatizohet. Kryetarja e Bashkisë ka marrë përsipër një risk të madh duke tentuar ta çojë deri në fund këtë proces dhe do ta ketë shumë të vështirë t’ia dalë mbanë, sepse që në Këshillin Bashkiak do ketë shumë vështirësi për t’i bërë bashkë të gjitha krahët. Nëse Vllaznia privatizohet, shpëton.
– Marrëdhënia me Valter Fushajn?
– Ai është një biznesmen që e do Vllazninë, dëshiron ta rindërtojë, ta bëjë ndryshe punën dhe do ishte mirë nëse e merr. Gjithë lufta që është brenda Shkodrës është që Vllaznia të mos privatizohet, sepse nëse kjo ndodh, ndryshojnë shumë gjëra. Personalisht e falënderoj për gjithçka, në momente të vështira më është gjendur pranë, aq sa vetëm te “Colosseu” kam qenë i realisht i qetë, sa herë dilja në Shkodër.
– Tifozët, shumë të paktë në stadium.
– Është normale, shkodranët janë të ndjeshëm ndaj rezultateve. Kur është nevojitur prania e tyre, ata kanë ardhur, si vjet me Tiranën, ashtu edhe sivjet me Kamzën.
– Miqtë që ke gjetur në Shkodër, cilët janë?
– E kam detyrim moral që të përmend disa emra që më kanë qëndruar pranë. Nuk mund t’i përmend të gjithë dhe më vjen keq. Kryetarja e bashkisë, që më ka mbështetur totalisht, Valter Fushaj, mik i mirë, profesor Beni, për të cilin kam shumë konsideratë, deputeti Romeo Gurakuqi, gjithnjë prezent në gjithë problematikat e mia, njerëzit e sportit si Grima apo Vioresin Sinani, me të cilin sa herë jemi takuar kemi biseduar gjerë e gjatë, Admir Teli, profesor Paçrami e disa të tjerë që ndoshta i harroj tani. Në veçanti kam vlerësim maksimal për shefin e krimeve, Saimirin, i cili ka qenë shumë profesional në gjithë momentet e mia të vështira.
– Në aspektin sportiv, çfarë mban mend për mirë nga periudha në Shkodër?
– Mund të ndihem mirë sidomos për talentet që u dhamë një dorë për të luajtur e për t’u rritur profesionalisht. Portieri Sherri, Çinari, apo Pusi, ishin ndër ata që patën rritje të konsiderueshme dhe u bënë edhe pjesë të Shqipërisë U-21.
– A ka ndonjë lojtar që të ka zhgënjyer?
– Jo, askush. Të gjithë u munduan të jepnin maksimumin, por kaq ishin mundësitë ndoshta. Në një situatë ndryshe, këta lojtarë mund të bënin më shumë.

Gjoka për Shtubinën: Ka gabuar adresë
“Nuk mendoj se ia vlen të përfshihem në debate që pastaj kthehen në ofendime nëpër gazeta, gjithnjë jam munduar t’i evitoj skena të tilla. Shtubinës po i them vetëm dy fjalë: historia e tij është shumë e thjeshtë, ai është një nga ata persona që po përdoren si “pushkë” për të goditur mua. Shtubina duhet ta kërkojë te klubi dhe grupi i futbollistëve, që në janar nuk ishin dakord që ai të kthehej. Shtubina ka pasur çështje me klubin, që unë i di, por nuk më takon mua t’i them. Lufta e tij ndaj meje është e gabuar, Shtubina duhet ta gjejë te vetja problemin, tek ajo çfarë ka mbjellë dhe çfarë ka korrur te Vllaznia. Nuk e gjeta te Vllaznia, që të akuzohem se e largova, ai ishte larguar me polemika pa nisur sezoni”, ka deklaruar Gjoka në lidhje me akuzat e forta të Ndriçim Shtubinës, në një intervistë lëshuar ditët e fundit për “Panorama Sport”, ku akuzon trajnerin se vendosi veton për të mos e marrë në ekip.

Gjoka për jabanxhinjtë: As Roberto Karlos nuk do bënte hajër në Shkodër
Në media ka pasur edhe sulme ndaj lojtarëve joshkodranë, duke nisur nga Mersini, i shënjestruar që në fillim, nga tifozë të caktuar dhe nga gazetarë të caktuar, ndërkohë që edhe Shtubina e sulmoi ashpër ditët e fundit. Përgjigja e Gjokës në lidhje me këto sulme: “Mendoj se edhe sikur Roberto Karlos në rininë e vet të vijë te Vllaznia, nuk ka për të bërë hajër në këto kushte. Për sa i përket grupit, i ka pranuar pa asnjë problem jabanxhinjtë, u ka ndenjur shumë afër, falënderoj edhe kapitenin e skuadrës i cili ka qenë element shumë pozitiv në këtë aspekt. Jabanxhinjtë besoj se janë munduar të bëjnë maksimumin e tyre, po të kishin bërë gjithçka mirë do e kishin realizuar misionin, por mendoj se të gjithë bashkë kemi faj, por jo vetëm jabanxhinjtë. Është e turpshme të veçohen lojtarë të caktuar, nuk është hera e parë që ndodh, edhe vjet po ashtu ka ndodhur, kjo ndarje është diçka shumë e keqe dhe nuk dua të merrem fare me këtë luftë, këtë histori që do më mbetet një kujtim i hidhur përgjithmonë. Kam punuar në disa qytete dhe askund nuk më ka ndodhur që të sulmohet kështu trajneri apo lojtarë të veçantë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online