E ka thënë gjithmonë dhe Ernest Gjoka e përsërit: kërkon të shlyhet nga Flamurtari për pagat e prapambetura dhe nuk ka asnjë interes që klubit vlonjat t’i hiqen pikë.
https://sportekspres.com/denimi-i-flamurtarit-shmanget-nese-shlyhet-gjoka/
Para disa ditësh, kur u mësua përfundimisht se Flamurtari nuk do të përballej në gjyq në KAS me trajnerin, u mendua se FSHF do të rikthehej te vendimi për t’i hequr pikë klubit vlonjat.
Megjithatë, sipas rregullores së re në FSHF, tashmë paditësi, në këtë rast Gjoka, ka të drejtë të vendosë: paratë nga klubi ose FSHF-ja, ose penalizim me pikë.
Sot Gjoka ka qenë sërish në FSHF, i thirrur për këtë çështje, dhe Supersport raporton se përgjigja e trajnerit të Kukësit ka qenë e prerë: “Gjithmonë e kam thënë që nuk dëshiroja dënimin e Flamurtarit, por thjesht atë që më takon.”
Në këtë mënyrë, FSHF do të mundohet të shlyejë trajnerin nga të ardhurat që i takojnë Flamurtarit, sepse në klubin vlonjat vazhdojnë të mos reagojnë me fakte, por vetëm me fjalë.