Gjoka i kënaqur nga përforcimet: Mund t’ia dalim

Nga Austria, ku Kukësi po kryen fazën përgatitore, trajneri Ernest Gjoka ka folur për “SuperSport”, duke folur për situatën e skuadrës dhe afrimet e reja. Tekniku kryeqytetas tregon se e njeh mirë tashmë kundërshtarin duke veçuar dhe pikat më të forta që kanë moldavët.

“Mendoj se këtu në zonën ku ndodhemi janë kushte perfekte për tu stërvitur. Kemi punuar shumë, jemi munduar shumë, pasi këto janë momente që duhet t’i kalojmë që duhet të rritemi fizikisht, për të përballuar atë ndeshje që të gjithë ne po e presim. Mendoj se etapa e parë e stërvitjes këtu në Austri është përmbyllur mirë, duke pasur parasysh dhe dy ndeshjet miqësore që bëmë”.

“Spanjolli Serran është një mbrojtës me eksperiencë, i cili po vjen gradualisht duke u përshtatur mirë me ekipin. Në ndeshjen e fundit miqësore që bëmë dha një impakt shumë pozitiv. Duhet që sa më parë të shkrihet me ekipin, pasi së bashku me Shametin do të  bëjnë dyshen e qendrës së mbrojtjes. Kemi Zeqirin, të cilin e njohin të gjithë, për cilësinë që ka. Ai po vjen gradualisht nga ana fizike, sepse nuk mund të them që ka probleme me përshtatjen, pasi Zeqiri ka qenë pjesë e Kukësit dhe më parë. Edhe Hoxha që ka ardhur nga Teuta është përshtatur mirë dhe gradualisht po bëhen pjesë e rëndësishme që ta ndihmojnë skuadrën”.

“Objektivi ynë është që ta kalojmë këtë tur dhe për këtë po punojmë jashtëzakonisht shumë. Kjo do të ishte diçka historike, diçka pozitive, shumë e mirë për ecurinë e kampionëve të Shqipërisë, shumë pozitive nga ana ekonomike për të mbushur arkat e klubit, por sigurisht gjithçka hap pas hapi. Ne duhet të bëjmë më të mirën e mundshme, duhet të japim më shumë se 100%”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *