Finale mbijetese, skena “Roza Haxhiu”, përballë Lushnja e Vllaznia. E çuditshme, por e vërtetë, edhe këtë vit Vllaznia rrezikon shumë, ndaj në Lushnjë as barazimi nuk i vlen më, sidomos nëse fiton Teuta ndaj Luftëtarit.
Mes polemikave, debateve dhe stresit pa fund, trajneri Ernest Gjoka po mundohet të mbajë skuadrën larg trysnisë dhe sot nuk është paraqitur fare para medieve shkodrane, pas debatit të ashpër javën e shkuar me gazetarë të veçantë. Trajneri i skuadrës shkodrane ka folur direkt për faqen e klubit shkodran në internet, duke prekur aty gjithë temat në prag të ndeshjes jetike në Lushnjë.
MOMENTI – “Për ne është shumë e rëndësishme sfida në Lushnjë. Mund të them që ne e shikojmë si jetike për vazhdimësinë. Jemi munduar gjithë këtë javë të punojmë të gjithë për ta kapërcyer këtë situatë jopozitive ku ndodhemi. Besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe na duhet të bëjmë çdo gjë për të dalë nga ky makth”.
MUNGESAT – “Mungesa kemi dy dhe për mua janë të rëndësishme për skuadrën, si Krymi, ashtu dhe Çinari, sepse skuadra ka krijuar një fizionomi me këta lojtarë. Gjithsesi, unë mendoj që në këto momente çdo lojtar do të bëjë maksimumin duke treguar personalitet dhe dinjitet për të kaluar këtë moment delikat”.
NDRYSHIMET – “Duhet të kuptojmë përgjegjësinë dhe të tregojmë që jemi të aftë që dhe nën presion dimë t’ia dalim. Sepse unë besoj se në skuadër ka djem që kanë personalitet dhe dinë të marrin përgjegjësi në momente të rëndësishme”.
OBJEKTIVI – “Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër veç fitores. Duhet të shkojmë për të marrë maksimumin, edhe pse e dimë vështirësinë e ndeshjes. Por në këto momente duhet të ringrihemi për hir të vetes dhe për hir të qytetit i cili po e përjeton këtë situatë njësoj si ne. E kemi detyrë jo vetëm profesionale, por dhe qytetare të ringrihemi. Unë besoj tek skuadra se do të arrijë të bëjë më të mirën për të dalë nga ky ngërç”.