Gjoka e mbyll si kampion: Largohem i lumtur dhe me kokën lart

Trajneri që i dha Kukësit titullin e parë në histori largohet pa asnjë njoftim zyrtar nga klubi, që nuk i ka kushtuar as pak radhë falënderimi. “Më mirë kështu”, thotë Gjoka…

Jurgen Zela

Në futboll, sidomos në futbollin shqiptar, gjërat ndryshojnë me shpejtësinë e dritës. Një skuadër mund të ndërtohet dhe prishet brenda muajit, një projekt ndryshohet 10 herë në një sezon, një trajner bëhet fitimtar ose humbës brenda 90 minutave dhe asnjëherë nuk e ka vendin të sigurt, pak rëndësi ka nëse fiton edhe titullin. Një rast i tillë është ai i Ernest Gjokës, 47-vjeçarit i cili i dha titullin e vetëm në 87 vite histori Kukësit. Mjaftoi një humbje, ajo kundër Sherifit, pasuar nga eliminimi i hidhur në mënyrën më absurde e fatkeqe të mundshme, me një penallti të humbur e 3 shtylla në minutat e fundit, për të larguar trajnerin që në vitin e fundit kishte humbur vetëm 2 ndeshje pa vlerë: kundër Tiranës në kupë dhe kundër Luftëtarit në ditën e ngritjes së trofeut të titullit, në Gjirokastër.
“Nuk kam kërkuar asnjë trajner tjetër, nuk mund të largoj trajnerin që fitoi titullin. Ato që shkruhen në gazeta janë gënjeshtra”, deklaronte para pak javësh Safet Gjici, kur nisën të qarkullonin zërat se Gjoka nuk do të konfirmohej në stolin kampion. Kontratën e kishte një-vjeçare Gjoka, por i duhej të qëndronte edhe në Champions League pa kontratë, duke pasur edhe presionin e rezultatit. Pranoi qetësisht, nuk i druhej një sfide të re, edhe pse do të ishte më burrërore që të ndaheshin gjërat më herët, rinovim apo divorc. Një klauzolë e paligjshme, ajo e vazhdimit të punës edhe pas përfundimit të sezonit, nëse sigurohej kualifikimi në kupat e Europës, bënë që Gjoka të qëndronte, të bënte vetëm pak ditë pushim nga stresi i jashtëzakonshëm i kampionatit të fundit dhe të riniste punën.
Kualifikimi në Champions League nuk u arrit, e panë të gjithë si u eliminua Kukësi, ndërsa nuk mund të harrohen gjithë problemet e javëve të fundit, me policinë vjeneze që ndali Kukësin para udhëtimit për në Tiraspol e me situatën e shëmtuar krijuar me mbrojtësin Serran, i akuzuar nga Gjici për trukim pas ndeshjes së vajtjes. Suksesin nga dështimi e ndan një vijë e hollë, ose më saktë një penallti e disa shtylla në rastin e Kukësit, por kur bëhet fjalë për Gjicin, tashmë e dinë të gjithë, trofetë i fiton ai, ndeshjet i humbet trajneri. E megjithatë, pas fjalëve të presidentit kuksian dje, i cili konfirmoi se Gjoka largohet sepse nuk kaloi testin Champions, trajneri nuk ka preferuar të debatojë, por përgjigjet qetësisht e pa polemika, si gjatë gjithë karrierës së vet. Nuk dëshironte të fliste Gjoka, por pas këmbënguljes së “Sport Ekspres”, ka dashur të thotë vetëm pak fjali, duke evituar polemikat në distancë, që zakonisht krijojnë bezdi te lexuesi.

Zoti Gjoka, me Kukësin mori fund tashmë.
Në raste të tilla ka komunikim zyrtar, që me mua ka munguar, por nëse duhej të ndaheshim kështu, nuk ka problem. Nuk është se më ka ardhur si surprizë vendimi i klubit. Më mirë kështu…
Ç’doni të thoni?
Dëgjoni, unë isha pa kontratë, ndaj nuk është se prisja me padurim ç’do të ndodhte. Isha i përgatitur që nuk do të vazhdonim së bashku, nuk kishte kthim pas, e kuptova që pas ndeshjes së kthimit kundër Sherifit. Të gjithë ishim të zhgënjyer, presidenti ndoshta më shumë nga të gjithë, që atëherë nuk kemi pasur kontakte. Kam përjetuar një vit shumë të lodhshëm, me shumë stres, ndaj them se ishte më mirë kështu, të paktën për mua personalisht, sepse largohem me kokën lart, si fitues.

Thatë që ishit pa kontratë, ndërsa Gjici tha që një trajner që eliminohet në turin e parë duhej të jepte dorëheqjen.
Dorëheqjen mund ta jepja nëse isha në një pozicion nga ku mund të largohesha. Duke qenë pa kontratë, nuk kisha nga çfarë të jepja dorëheqjen. Firmosa një vit më parë, në 22 korrik me Kukësin, vendosëm si qëllim të vetëm titullin kampion, e mora përsipër atë mision, kontrata ime përfundoi në fund të majit, me përfundimin e sezonit.

Megjithatë, keni vazhduar deri pas ndeshjes kundër Sherifit të drejtoni skuadrën, a është normale?
Më pas qëndrova sepse ashtu e përcaktonte kontrata, ekzistonte një klauzolë që më detyronte të vazhdoja edhe për kupat e Europës, nëse kualifikoheshim. Normale nuk është, sepse sezoni kishte përfunduar që në maj dhe bilanci bëhej që aty. Gjithsesi, nuk është ndonjë problem i madh, unë e mora përsipër pa asnjë keqardhje misionin për në kupat e Europës, pasi moralisht më takonte, së bashku me skuadrën, ta vazhdonim misionin e nisur.

Një vit në drejtimin e Kukësit, si është bilanci final?
Në aspektin personal bilanci është i shkëlqyer. Së bashku me skuadrën, bëra të pamundurën të mundur, realizuam misionin që kishim ndërmarrë dhe që ishte vetëm titulli. Atë e premtova që në fillim. Fituam dy trofe, një në start dhe një në finish, e mbyllëm kampionatin pa asnjë humbje, deri sa titulli u fitua matematikisht. Më shumë se kaq, asnjë trajner nuk do ëndërronte. Iki i lumtur, sepse realizuam një mrekulli, një mision mjaft të vështirë, por nga ana tjetër, edhe pak i trishtuar jam, sepse kishim nisur një rrugë fantastike, me një grup të mrekullueshëm lojtarësh dhe stafi, ku gjithçka po funksiononte në harmoni të shkëlqyer.

MESAZHI PËR GJICIN
Gjici e motivon fundin e rrugëtimit së bashku me eliminimin nga Sherifi.
Për sa i përket eliminimit në Champions League, të gjithë i kanë parë ndeshjet, mund të gjykojnë vetë. Në futboll humbja është e pranishme, nuk ka ekipe të pathyeshëm as në nivelet më të larta, jo më në Shqipëri. U mundëm në Moldavi, me një episod të pafat në rastin e penalltisë që na shkaktoi humbjen, luajtëm një ndeshje të madhe në Elbasan. Aty dhamë gjithçka, skuadra meritonte të fitonte edhe me 3-4 gola diferencë, por fati ndonjëherë e vendos që nuk është dita e duhur. Në raste të tilla, nuk ke ç’bën më shumë. Keqardhja për eliminimin ishte e madhe, por më shumë se aq nuk e di çfarë mund të bënim.

Duke qenë se nuk keni komunikuar, çfarë do të dëshironit t’i thoshit presidentit në këtë moment, kur gjithçka është mbyllur?
Falënderoj shumë Kukësin dhe Gjicin për bashkëpunimin 1-vjeçar. Është një president që kërkon të fitojë gjithmonë, këtë vit fitoi shumë, por natyrisht njeriu asnjëherë nuk ndalet. Nuk kam asnjë mesazh, përveç falënderimit, ishte një vit i mbushur me emocione dhe i kurorëzuar me sukses.

MESAZHI PËR SKUADRËN
E keni lavdëruar shpesh skuadrën dhe jeni shprehur se keqardhja juaj e vetme lidhet me grupin që ishte krijuar te Kukësi.
Po, e përsërit, ajo është keqardhja ime e madhe, sepse ishte krijuar një grup fantastik, djem të shkëlqyer. Kam mirënjohje pa fund për gjithë skuadrën, sepse më ndoqën dhe besuan verbërisht në rrugën time si trajner dhe tonën drejt titullit, më dhanë dorën, zemrën dhe këmbët, nuk e diskutuan asnjëherë rrugën që nisem. Ishte një grup që sakrifikoi javë pas jave, që me dinjitet e personalitet fitoi gjithë betejat dhe mposhti gjithë pengesat kundër nesh në rrugën drejt titullit.

MESAZHI PËR TIFOZËT
Tifozët kohët e fundit kanë ngritur krye, duke dalë kundër vendimit të klubit për mbylljen e raportit me ju. I befasuar?
I falënderoj nga zemra, të gjithë tifozët, për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë këtij sezoni madhështor. Mirënjohje pa kufi për gjithë tifozerinë kuksiane, që më pranoi, më dha besën, përkrahjen dhe mbështetjen pa kushte. Më pranuan si të isha kuksian dhe mesazhet e panumërta të tyre më bindin që diçka të mirë e kam bërë në një vit në stolin e Kukësit. I falënderoj pa masë, do jenë gjithnjë në zemrën time.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online