Në fund të sfidës mes Vllaznisë e Laçit, trajneri i shkodranëve Ernest Gjoka është parë më i qetë. Fitorja dhe pikët i “japin frymëmarrje” skuadrës kuqeblu, por edhe Gjokës, i cili rrezikonte jo pak, nëse ekipi i tij humbiste sot me Laçin.
“Fitorja të jep oksigjen pas dy javëve të këqija. Humbëm shumë raste dhe në pjesën e dytë, duhej të ishim shumë të kujdesshëm. Morëm një fitore pas dy javësh jo të mira që e kishin rënduar skuadrën nga ana psikologjike”, u shpreh në fillim Gjoka, që më pas deklaroi se: “Mendoj se kemi biseduar shumë dhe jemi qetësuar shumë. Ishte javë deçizive për ne, për përgjegjësinë që kemi. Djemtë dhanë gjithçka, por nëse do të ishim më të qetë, mund ta mbyllnim ndeshjen me golin e dytë. Në futboll nuk i dihet asnjëherë, pasi kundërshtari mund të shfrytëzojë një gabim tëndin, pavarësisht se sa lojtarë ka në fushë”.
Shumë raste të humbura për një ekip, që duhet të garantojë fitore, ndërkohë që Gjoka pranon se ky ishte problemi kryesor gjatë 90 minutave. “Nëse në pjesën e parë duhet të shfrytëzonim rastet që kishim. Pjesa e dytë nisi ndryshe me kundërshtarin, që kishte ndryshuar skemë. Laçi krijoi pak raste, por dominimi i ndeshjes ishte nga ne. Duhet të ruanim atë që kishim bërë, por nuk shënuam dot golin e dytë, duke humbur qetësinë. Të gjithë e panë se çfarë prodhoi sot fushë. Ne fituam një ndeshje me mund, djersë dhe sakrificë”, mbylli Gjoka.