Rexhinaldo është një çështje te Kukësi. Një ditë më parë ai ka qenë në zyrat e klubit, ndërkohë që drejtuesit e verilindorëve konfirmuan për “SportEkspres.com” se sulmuesi nuk do të lëvizë nga skuadra e drejtuar prej Armando Cungut.
Tashmë presidenti Safet Gjici ka marrë masa ndaj futbollistit, teksa ka urdhëruar që të stërvitet me ekipin e dytë. Ky është lajmi më i fundit që raportohet nga Supersport dhe kjo ka ardhur pas kapricove të shumta të lojtarit.
Rexhinaldos nuk i ka pëlqyer aspak fakti që do të ishte në stol me Laçin. Sulmuesi thuhet se ka pësuar një dëmtim në seancën e fundit para ndeshjes, gjë që u tha edhe nga trajneri Armando Cungu pas takimit. Por ka pasur zëra të shumtë që sulmuesi as që u është përgjigjur telefonatave të drejtuesve gjatë ditës së shtunë.
Tashmë vjen edhe dënimi për të, teksa nuk përjashtohet edhe ndonjë gjobë për Rexhinaldon. Ai është ndër më të paguarit në skuadër, pasi merr rreth 7 mijë euro në muaj. Gjithashtu ai përfiton edhe bonuse të tjera prej golave të realizuar.