Safet Gjici nuk kursehet. Deri më tani nuk kishte folur për largimin e Armando Cungut. I ashpër numri një i klubit verilindor në intervistën e dhënë për gazetën “Koha Jonë”. Në shënjestër edhe Ernest Gjoka e Klodian Duro.
GJOKA – “Ernest Gjoka bëri mirë, fitoi titullin kampion, por në fund bëri si “puna e lopës”, pasi i ra me shkelm në momentin kur po hidhnim hapin e madh. Ishim pranë kalimit të një turi në Champions. Duhet ta bënte mirë punën për veten e vet, jo për mua. I thashë që të mos ia linte penalltinë Pejiçit, pasi portieri i Sherifit ishte kroat dhe e njihte Peron. Trajnerët nuk mendojnë shumë, janë ‘kokëvegjël’. Unë nuk i thashë që në vend të Pejiç duhet ta gjuante filani. Atë duhet ta vendoste vetë, në bazë të formës së lojtarëve.
Emini kishte shënuar dy gola, mund ta godiste ai. Mund ta humbiste edhe ai, por penallti kanë humbur Mesi me Ronaldon. Kukësi humbi 1.3 milionë euro nga ajo penallti. Gjoka nuk është trajner i keq, por më pas mori Vllazninë dhe Kamzën, duke i ulur një kategori më poshtë. Një trajner kampion shkon te 3-4 ekipet e para, nuk mund ta ulë vetën. Kjo ndodh për faktin që Gjoka nuk është trajner i madh, nuk e ‘bën vezën aq të madhe’.
DURO – “Klodian Duro fliste që na e dha ai Kupën e Shqipërisë. Kur mbylla marrëveshjen me të e urova, duke i thënë që ishalla merrte ndonjë ekip kampion që të konkurronte me ne. Askush nuk e mori, derisa shkoi te Kamza. Edhe pas 5 humbjeve radhazi vazhdonte të thoshte që ‘ishin një skuadër shumë e fortë’. Nuk krahasohet me Gjokën, pasi Gjoka u shpall kampion, edhe pse e bëri skuadra atë dhe jo ai skuadrën. Ai bëri shumë mirë në kampionat, por shumë keq në post-kampionat. Na mori në qafë me një detaj të vetëm.
CUNGU – “E patë çfarë na bëri trajneri i ‘famshëm’ në Kupë kundër Teutës? Po fitonim 2-0, hoqi Rrocën dhe e ktheu ekipin në mbrojtje. Do të kishim mbyllur gjithçka. Trajnerët këtu janë ‘bjeri t’i biem’, nuk i studiojnë kundërshtarët. Trajneri duhet të përgatitet shumë përpara se të shkojnë në dy orët e stërvitjes. Në Shqipëri nuk ka akademi trajnerësh dhe kemi vështirësi të shumta.
Përse nuk kemi trajner për kombëtaren dhe shkojmë lusim Panuçin, apo dikë tjetër? Sepse nuk ka trajnerë. Kemi vetëm Ilir Dajën dhe Shpëtim Duron, të tjerët kanë të njëjtën filozofi, janë akoma me ‘kohën e qepës’. Futbolli ka evoluar dhe nuk ka lidhje me atë që luhej përpara 20 viteve”.
TË HUAJT – “Nuk është se ata nuk dinë, por hasin probleme me mentalitetin shqiptar. Ose duhet t’i marrim për një afat të gjatë, por duhen pritur dy vite dhe më pas duhet pretenduar për titullin kampion. Në Shqipëri nuk të pret kush tre vite për të pretenduar. Futbolli ynë ndryshon nga ai austriak. Europa të sjell para, nëse nuk arrin aty, je i mbaruar. Sezonin e kaluar dolëm më mirë, pasi shitëm edhe Gurin. Në aspektin e futbollit kemi bërë mirë, në aspektin e trajnerit nuk kemi bërë mirë”.