Ernest Gjoka është një nga emrat e njohur të futbollit shqiptar, ku në karrierën e tij si trajner e kanë përndjekur edhe suksese të mëdha. Në duart e tij kanë kaluar ekipe me emër të Superiores si Flamurtari e Vllaznia, ndërsa ka provuar dy herë edhe stolin e Kukësit, me të cilët ka arritur të fitojë edhe kampionatin. Tashmë vijon karrierën e tij në Maqedoninë e Veriut, ku drejton klubin më të madh shqiptar, Shkëndijën e Tetovës, të cilën e gjeti në një periudhë të vështirë dhe po e ndihmon të ringrihet përsëri.
I ftuar në “Fan Zone” Gjoka ka treguar më tepër rreth diferencave mes kampionatit shqiptar dhe atij maqedonas, ndërsa ka folur edhe mbi trofetë e fituar. Sa i përket një kalimi te Partizani, trajneri shqiptar e ka lënë derën e hapur në të ardhmen. Ndërkohë ka vendosur të zbulojë edhe disa “sekrete” nga aventurat e tij në Superiore, ku ka ndarë me të gjithë edhe disa detaje interesante për presidentët.
Si po kaloni këto ditë pandemie?
“Kjo pandemi na ka vënë disi në vështirësi, por për fat të mirë po përshtatemi”.
Si ju është dukur kampionati maqedonas?
“Këtu nuk është një kampionat i thjeshtë, përkundrazi është shumë i vështirë. Shkëndija nuk është si në sezonet e kaluara dhe kemi pasur shumë probleme. Në po përpiqemi të rikthejmë Shkëndijën fitimtare, por këtë sezon e shikojmë shumë të vështirë“.
Ku është kampionati më i fortë në Shqipëri apo në Maqedoninë e Veriut?
“Për hir të së vërtetës, janë të ndryshme. Në Shqipëri kampionati ka infrastrukturë më të mirë dhe më shumë bukuri, ndërsa në Maqedoni ka më shumë lojtarë të mirë individualisht“.
Cili trofe të ka shijuar më shumë?
“Trofetë shijojnë të gjithë njësoj, sidomos kur vijnë pas një mundi dhe pune të madhe, por unë do të veçoja Kupën e fituar me Flamurtarin, që ishte trofeu im i parë si trajner“.
Do të donit të stërvitnit Partizanin?
“Partizani është një ekip elitar dhe nëse do vinte një ofertë pse jo, në punën tonë ndodh gjithçka dhe nëse rrugët tona bashkohen pse jo”.
Thuhet se jeni trajneri që keni fituar më së shumti vitet e fundit?
“Nuk e di se sa kanë fituar të tjerët, ndaj nuk të konfirmoj dot këtë, por mund të them që unë kam pranuar çdo lloj projekti, edhe në klube jo elitare në aspektin ekonomik të paktën”.
Keni pasur ndërhyrje nga presidentët në punën tuaj?
“Ndërhyrje jo, por ndonjë sugjerim edhe kam pasur. Gjici përshembull donte të dinte formacionin gjithmonë një ditë para, ndërsa Gjika bënte sugjerime për Sefën që e kishte shumë qejf”, është shprehur Ernest Gjoka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/