Gjici dhe blerjet nga Gjirokastra: Rrocën e Shkurtajn i kam marrë me kohë

0

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka qenë i ftuar në emisionin “Fair Play” në “Ora News” dhe aty ka komentuar ecurinë e skuadrës së tij, por edhe luftën për titull. Natyrisht, në plan të parë merkatoja, por edhe aludimet për premio që të ndalet Partizani.

MERKATO – “Me Rrocën e kemi mbyllur marrëveshjen dhe tani po diskutojmë për të rënë dakord me kushtet e kontratës. Kemi bërë një marrëveshje për vlerën e kartonit në masën 40% në rast rishitjeje, plus një pagesë të vogël. Kisha dy muaj që negocioja. Më thanë që janë këta dy lojtarë dhe nuk janë të huaj. U interesova dhe u ulëm me presidentin dhe ramë dakord pas disa takimesh. Unë kisha mbyllur marrëveshjen dhe gazetat flisnin për Shkurtajn. Nuk e kam ditur se Partizani e ka dashur Shkurtajn.

“40% të kartonit e ka Luftëtari. Janë transferta me bankë dhe mund të verifikohen lehtësisht. 20 mijë euro njëri dhe 50 mijë euro tjetri. Ka një kontratë të deklaruar dhe me transferta bankare. Nuk ka nevojë për të shpifur”.

RIVALET – “Mos e merrni lehtë Skënderbeun, edhe pse ka humbur disa ndeshje e ka ekipin, ka lojtarë. Edhe ne kemi qenë larg kreut. Futbolli i tillë është dhe sot jemi 3 pikë nga vendi i parë. Janë gjashtë ekipet e para dhe nuk mund të veçosh askënd. Kam parë një Tiranë ndryshe me Vlorën, shumë të karikuar, dhe në dy fazat e tjera do të jetë ndryshe dhe do të rivalizojë për Europën. Është ngjeshur shumë renditja”.

KUKËSI – “Ne jemi të kënaqur, pasi i kemi luajtur të gjitha ndeshjet jashtë, siç do të luajmë deri në fund. Nëse do të dalim kampion do të jetë një rast unik. Kemi bërë gjëra të tilla, pasi kemi fituar titullin me35 ndeshje pa humbje. Futbolli luhet për tifozë, por tifozët e kanë të vështirë kur luajmë larg. Kemi pasur shumë dëmtime në fillim dhe kemi pasur disa faktorë që na kanë ndikuar. Ne mund të ishim në vendin e parë nëse do të luanim në shtëpi dhe të mos kishim kaq shumë dëmtime. Musolli është një prej lojtarëve që e kemi ndjerë mungesën e tij, pasi është shumë i rëndësishëm për Kukësin”.

PREMIO ANTI-PARTIZANI? – “U shkruajt para pak kohësh se kam dhënë premio për Kastriotin ndaj Flamurtarit. Ishte absurditet. Tani thonë për ndeshjen mes Luftëtarit ndaj Partizanit. Kam paguar për të blerë lojtarë. Kemi bërë marrëveshje për dy lojtarët dhe nuk ka lidhje. Premio është e ligjshme, por nuk do e bëja kurrë. Edhe mua më thanë se ka marrë Kastrioti premio për të na ndaluar ne. Nuk më vjen keq nëse japin premio kundër nesh, edhe sikur Partizani t’i ketë dhënë Kastriotit. Unë nuk kam dhënë premio, ia jap ekipit tim”.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.