Gjashtë trofe në dy vjet, Zidan “tremb” Sakin!

0

 

Nëse do të fitonte edhe Botërorin e Klubeve, Zizu do të arrinte Sakin (7 trofe) dhe ciklin e tij të artë te Milani… Në vetëm dy vjet në stolin e Real Madridit. “Isko i jashtëzakonshëm, Ronaldon s’e rrezikoja dot”

Dy vjet më parë, dikush e quajti “timonier i përkohshëm”… Një si ato “pilotët automatikë” në një avion, që shërbejnë thjesht për të drejtuar në destinacion, pa hasur ndonjë vështirësi… Por, Zinedin Zidan hyri me qetësinë e tij në zemrat e të gjithëve. Punë, punë dhe vetëm punë… Rezultatet? Gjashtë trofe të fituar nga tetë të mundshëm. Francezi, kur vari këpucët në gozhdë si futbollist, nuk e mendonte se mund të vinte edhe dita që të bëhej një trajner i aftë dhe që të niste një karrierë të mbushur me trofe, në vendin e duhur, në skuadrën e duhur dhe në momentin e duhur.

Përballë tij, një tjetër që kishte fituar vetëm titullin me Real Madridin, por jo Champions League, një fiksim. Hoze Murinjo largohet me bisht ndër shalë, teksa në Shkup triumfon “Zizu”, që tashmë fiton edhe Superkupën e dytë radhazi, pasi kishte fituar Champions e dytë radhazi. Një arrijte si ajo e Milanit në vitin 1989-90, kur fitoi të dy trofetë radhazi, por në atë kohë quhej vetëm Kupë Kampionësh. Sakaq, ai “tremb” Sakin, që në ciklin e artë kuqezi fitoi 7 trofe…

“Kemi zhvilluar një punë të madhe, një pjesë të parë të shkëlqyer, e dyta ishte më e  dyluftuar, pasi në fund rrezikuam dhe jo pak. Sigurisht, më kënaq fakti që në fund e morëm ne trofeun. Sekreti i këtij Reali? Kemi talent, cilësi, lojtar të mëdhenj, por sidomos punojmë shumë. Po, sekreti ynë është vetëm puna”. Ndërkohë, Ronaldo luajti vetëm 12 minuta. “Eshtë normale, pasi lojtari kthehet nga një periudhë ku ka qëndruar më së shumti pushim pasi ka pasur mbingarkesë sezonin e fundit.

Për ne është i rëndësishëm, ndaj duhet të kthehet me kujdes”. Sakaq, fjalë të mëdha edhe për Iskon, autor i golit të dytë: “Shënoi një gol të mrekullueshëm dhe është një futbollist spektakolar”. Në fund, Zidan shprehet se “ky trofe është mënyra më e mirë për të nisur sezonin”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.