Partizani kërkon fitoren e dytë radhazi, që do ta afronte një pikë me Skënderbeun kryesues. Të kuqtë sot kanë përballë Kastriotin, ndërkohë që takimi mes këtyre dy ekipeve zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” të boshatisur prej dënimit që klubi kryeqytetas ka marrë prej Komisionit të Disiplinës.
Trajneri Skënder Gega sërish ka bërë ndryshime në formacion, teksa rikthehet Asani nga minuta e parë. Mensah ulet në stol, sikurse edhe Sodiq Atanda. Nigerianin në mbrojtje e zëvendëson Renato Gojkoviç. Pjesa tjetër e formacionit është ajo që u aktivizua ndaj Kamzës.
Kastrioti nga ana tjetër vjen me dy mungesa. Çela, i dëmtuar, në mbrojtje nuk është dhe Dajan Shehi është favorit për ta nisur nga fillimi. Kundër Skënderbeut trajneri Plori kishte menduar të mbrohej, kurse ndaj Partizanit situata ndryshon.
Juljan Shehu parashikohet titullar, ashtu si Çarles Atsina. Ymeraj dhe Domgjoni në stol. Mungesë e rëndësishme për krutanët është sulmuesi Taulant Marku, i cili është i dëmtuar dhe nuk është grumbulluar për këtë takim.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 3
E shtunë, më 1 shtator, ora 19:45
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Partizani-Kastrioti
Partizani: Hoxha – Ibrahimi, Belica, Gojkoviç, Kalari – Hila, Telushi, Mala – Asani, Trashi, Hebaj. Trajner: Skënder Gega
Kastrioti: Kuka – Husein, Lila, Shehi, Stijepoviç – Çutra, Mziu, Shehu – Rahim, Bardhi, Atsina. Trajner: Elvis Plori