Gega kundërsulmon: Kukësi mashtron, ja e vërteta!

Skënder Gega dhe Kukësi, nga flirt në armiqësi dhe akuza. Gjithçka në pak javë, ose më saktë në pak orë, sepse deri dje gjithçka dukej perfekte.

Ish-trajneri i Shqipërisë U-21 po shkonte drejt emërimit si pasues i Ernest Gjokës, por dje askush nuk e kontaktoi nga Kukësi.

Kjo bëri që Gega t’i niste një mesazh menaxherit të Kukësit, Naim Halili, duke e njoftuar se mungesa e korrektësisë nga ky i fundit dhe nga Kukësi e detyronte të hiqte dorë nga synimi për të marrë postin e trajnerit.

Mesazhi, në mënyrë misterioze (!), u bë publik, por Gega pretendon se nuk e ka publikuar ai, çka do të thotë se vetë drejtuesit e Kukësit e kanë shpërndarë për mediat, nëse Gega nuk gënjen.

Sot Kukësi doli me një komunikatë zyrtare ku përgënjeshtronte marrëveshjen me Gegën, pretendonte se Gega nuk i paraqiti projekt dhe akuzonte Gegën se publikoi mesazhin.

Kjo ka bërë që Gega të reagojë dhe me një letër të hapur të japë versionin e tij të historisë së shëmtuar, ku duket qartë se te Kukësi gjërat nuk funksionojnë në mënyrë serioze, nga bisedimet prej javësh me Gegën, pas shpinës së Ernest Gjokës, e deri te dalja e informacionit “pa u çuar nga tavolina”, siç thotë Gega.

LETRA E GEGËS

Pasi pashë një reagim të Kukësit, duke përmendur emrin tim, jam i detyruar të reagoj, për të sqaruar opinionin publik.

Së pari, më vjen keq që tifozët e ekipit që u shpall kampion i Shqipërisë, duhet të dëgjojnë të tilla reagime, pasi meritojnë të dëgjojnë për arritje sportive, suksese dhe profesionalizëm. Gjithsesi, më duhet të tregoj kronologjinë e raportit tim me klubin e Kukësit:

  • Përfaqësuesit e klubit, të deleguar nga presidenti, kanë pasur takime të vazhdueshme me mua, prej afro 2 muajsh. Më ofruan disa kohë më parë postin e drejtorit teknik në klub, për të më ideuar më pas si trajner, por e kam refuzuar për respekt të kolegut tim Ernest Gjoka, i cili ishte në detyrë gjatë asaj periudhe. Ishte një standard që nuk do ia lejoja asnjëherë vetës.
  • Kohët e fundit, kur edhe Kukësi ishte zyrtarisht pa trajner, përfaqësuesit e lartë të klubit, të deleguar nga presidenti, kanë biseduar me mua, jo vetëm duke më bërë ofertë konkrete financiare, por në ditët e fundit më kanë kërkuar dhe bashkërisht kemi dhënë mendimet për mënyrën se si duhet ndërtuar skuadra, ku përfshihen edhe elementë të caktuar brenda ekipit. Pra, pjesa e projektit tim, që ata pretendojnë se nuk është bërë, konfirmoj se ka arritur deri në detaje. Madje, edhe duke vendosur mbi stafin qe duhet larguar dhe afruar.
  • Është e vërtetë që me presidentin Gjici, jam takuar vetëm një herë. Ka qenë një takim që nuk ka zgjatur shumë, pasi ai u detyrua të largohej për shkak të impenjimeve politike. Por, ishte i mjaftueshëm për të qartësuar edhe pozicionin tim. Pak minuta pas atij takimi, përfaqësuesi më i lartë i klubit të Kukësit, i deleguar nga presidenti për të biseduar me mua, më njoftoi që të përgatitesha për prezantimin në paraditen e së nesërmes.
  • Fatmirësisht, të gjitha takimet që kam bërë me përfaqësuesit e klubit, janë realizuar në dëshmi edhe të një personi te trete. Këtë element e them për të lajmëruar zyrtarët respektivë të klubit, që të mos abuzojnë me të vërtetën. Gjithsesi, unë asnjëherë nuk i nxjerr në publik takimet kofidenciale, ashtu siç jam befasuar që mesazhi i dërguar drejtuesve në telefon, ka dalë shumë shpejt në media. Madje, edhe gjate bisedimeve që kemi pasur, lajmet kanë dalë, pa u ngritur ende nga tavolina.
  • Unë kam drejtuar skuadra në tre kontinente. Kam qenë pjesë e stafit të kombëtares së SHBA-së, kam qenë trajner në Universitet, drejtor akademie për 13 vjet në Nju Xhersi, trajneri i kombëtares U-21 e U-19, kam drejtuar në Kuvajt. Kudo që kam punuar, kam punuar me projekte që kanë rezultuar të suksesshme. Nuk mendoj se unë do e përdorja emrin e Kukësit për të rritur emrin tim, por besoj se është duke ndodhur e kundërta.

Me respekt,

Skënder Gega”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *