Gazetarët e provokojnë për talentin e Realit, Enrike me ironi: I bëj të fala, do jetë duke parë Netflix tani

0

Marko Asensio nuk është bërë pjesë e listës së Spanjës për ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve. Luis Enrike ka lënë jashtë grumbullimit sulmuesin e Realit të Madridit, duke ndezur një reagim të madh të gazetarëve. Këta të fundit nuk i kanë kursyer provokimet në lidhje me talentin e madrilenëve, madje duke e pyetur trajnerin se si e shihte Asension për ndeshjen me Zvicrën.

“Epo, nuk mund ta shoh, sepse më duket se nuk e kam grumbulluar, apo jo?“, ishte përgjigja e kreut të pankinës së Spanjës, që më pas ka vazhduar: “Asensio është një lojtar për të cilin kam folur shumë herë, por nuk do ta bëj tani në prag të një ndeshjeje të kësaj rëndësie. I bëj të fala Marko Asensios, nuk kam gjë kundër tij, por nuk është koha të flas rreth tij“.

Më tej Enrike ka hasur në këmbënguljen e gazetarit gjatë konferencës për shtyp, duke u detyruar të përdorë edhe ironinë sa i përket pyetjes nëse e sheh sulmuesin si nëj alternativë për Kampionatin Europian të ardhshëm.

“Mendoj se tani ai duhet të jetë duke parë qetësisht në shtëpinë e tij ndonjë serial në Netfix, i ulur në divan. E imagjinoj se është shumë mirë. E përsëris, e përshëndes Markon. Por tani do flasim për Zvicrën“, është shprehur Luis Enrike./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.