Gavazaj: Pa frikë me kroatët, grupet nuk janë të pamundura

Pas Liridon Latifit, tashmë i shitur, një lojtar tjetër te Skënderbeu, i cili shihet me shumë të ardhme dhe që do të promovohet ndoshta sezonin tjetër për të pasur të njëjtin fat, është Enis Gavazaj. Kosovari ka bërë paraqitje shumë të mira me fanellën bardhekuqe dhe në fakt vetëm në një moment u diskutua vendi i titullarit, kur ishte Afrim Taku. Me ikjen e këtij të fundit, Gavazaj është në formacion, ndërsa vetë futbollisti deklaron se i pëlqen që gjithmonë të ketë konkurrencë. Para nisjes së ekipit drejt Shkupit, Enis Gavazaj ka folur për “Sport Ekspres” në lidhje me kundërshtarin mbrëmjes së nesërme dhe shanset e kualifikimi. Mesfushori thotë me bindje se gjithçka do të zgjidhet në “Elbasan Arena”.

 

KONKURRENCA – Në prononcimin e tij, Enis Gavazaj ka folur së pari për vendin e tij si titullar: “Formacioni është vështirë të fitohet te Skënderbeu, por është edhe po kaq vështirë të mbahet. Mendoj se e kam justifikuar deri tani besimin që më ka dhënë trajneri Ilir Daja dhe gjithmonë do të jem në shërbim të ekipit. Edhe kur e kam nisur nga stoli, sërish kam dhënë më të mirën në fushë. Gavazaj është i njëjti si në fushë, por edhe jashtë saj. Edhe në Zagreb jam gati të jap më të mirën dhe këtë keni për ta parë.”

FORMA – I pyetur se a është gati Skënderbeu për përballjen e radhës dhe si e shikon atmosferën në skuadër, Gavazaj shprehet: “Po kalojmë një formë të mirë sportive të gjithë si skuadër, ndërkohë që nuk duhet harruar se ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar me ndeshje dhe stërvitje. Të gjitha ekipet e tjera kanë pushuar gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që ne kemi qysh pas përfundimit të kampionatit që stërvitemi dhe më pas kemi luajtur edhe 6 ndeshje deri tani. Kjo bën të jemi disi të ngarkuar, por e përgjithshmja është se jemi gati dhe do të tregojmë më të mirën edhe në Zagreb.”

SHANSET – Për kundërshtarin e nesërm dhe shanset e Skënderbeut, mesfushori kosovar shton: “E dimë forcën e Dinamos së Zagrebit, por kemi shanset tona në Zagreb, por edhe në Elbasan, në ndeshjen e kthimit. Kundërshtari ka një skuadër me elementë shumë cilësorë dhe këtë e dimë shumë mirë. Shpresoj të jemi në 100%-shin tonë dhe pa diskutim që nëse kjo do të ndodhë, ju garantoj se do të rivalizojmë në fushën e lojës. Shanset për mua janë të barabarta. Synojmë grupet, ashtu si dhe Dinamo, prandaj kjo e bën këtë përballje edhe më të fortë. Mendoj se kualifikimi do të vendoset në “Elbasan Arena” dhe shpresoj që aty të ndodhë vërtet për ne, për të festuar bashkë me tifozët tanë të zjarrtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *