Fitorja e parë sezonale e Milanit ka ardhur në mënyrën më emocionuese të mundshme, me një gol në sekondat e fundit të shtesës, nga Kutrone, i hedhur në fushë në fund nga trajneri Xhenaro Gatuzo, i cili bëri zgjedhjet e duhura duke i dhënë energji skuadrës në një moment delikat, kur kuqezinjtë dukeshin pa asnjë ide.
Megjithatë, në ndryshim nga ndeshja kundër Napolit, Milani nuk e humbi busullën për asnjë moment dhe kjo e gëzon trajnerin kuqezi: “Goli i Kutrones nuk është kthesa e sezonit, jemi vetëm në javën e dytë. Pas humbjes në Napoli ishim të zhgënjyer zor skuadra ka reaguar edhe më mirë nga sa prisja. Duhet ende të bëhemi skuadër, këtë radhë ishim më mirë në aspektin e mentalitetit dhe administrimit të ndeshjes në momente të vështira”.
Higuain ishte vendimtar me pasimin final për Kutronen: “Higuain është një futbollist që na bën të luajmë mirë, por kur vjen pas për të luajtur topin duhet të jemi më të rrezikshëm dhe ta ndihmojmë. Kutrone po luan pak, e vërtetë, por sezoni është i gjatë dhe do të ketë hapësirën që i takon. Bilia? Është lojtar thelbësor në aspektin taktik, kundër Romës na shpëtoi në shumë situata”.