Milani ka një ndeshje shumë të rëndësishme nesër përballë Xhenoas në transfertë. Objektivi i vetëm i kuqezinjve është fitorja, pavarësisht mungesave të shumta dhe momentit jo të mirë si pasojë e largimit të Higuain.
Xhenaro Gatuzo ka prekur disa tema në konferencën për shtyp, duke e nisur me kundërshtarin e nesërm dhe largimin e Pipitës. Trajneri kërkon të njëjtin shpirt gare si në finalen e Superkupës ndaj Juventusit. Ai tregohet i sinqertë për veprimin e bërë dhe pranon dënimin. Gatuzo nuk do të jetë në stol, ashtu siç Higuain nuk është grumbulluar për këtë ndeshje.
XHENOA – “Pashë një shpirt të madhe të skuadrës në Superkupë, por nuk arritëm të shënonim. Juventusi ka patur gjithmonë diçka më shumë se ne në aspektin e agonizmit. E bukura vjen tani, dua të shoh të njëjtin shpirt dhe të mos kthehemi më mbrapa. Dua që nesër të luajtëm të njëjtën ndeshje kundër një skuadre, që mund të na vërë në vështirësi në aspektin fizik. Kemi katër mungesa, por mua më shqetëson mungesa e entuziazmit. Duhet të shohim renditjen dhe të kuptojmë rëndësinë e ndeshjes me Xhenoan. Ata vrapojnë shumë, duhet të luajmë me kualitet dhe të mos ‘zhdukemi’ në gabimin e parë që bëjmë.”
HIGUAIN – “Në këtë moment skuadra, dhe dua të jem i sinqertë në këtë që po them, ka patur një nga stërvitjet më të këqija. Djemtë janë të shqetësuar. Kam folur në zyrën time me Higuainin dhe nuk ka akoma diçka zyrtare për të. Për çështjen e tij do të flasë Leonardo. Unë dua njerëz gati dhe është e qartë që Higuain nuk është gati psikologjikisht. Nuk jam i zhgënjyer nga ai, pasi është sjellë gjithmonë mirë me mua. Respekti mbetet, ashtu si për Bonuçin. Gonzalo mund të bënte diçka më shumë me ne dhe të njëjtën gjë mund të bënim dhe ne për ta bërë të shprehej më mirë.”
PIATEK – “Ai ka karakteristika të veçanta, por e kam mendjen te ndeshja e nesërme. Nëse Higuain do të largohet, do të humbisnim një lojtar të rëndësishëm, i cili ka hasur vështirësi. Gonzalo nuk ishte një barrë, ndërsa tani duhet të rikthehemi të punojmë me qetësi.”
ACARIMI – “U errësova pas finales dhe u solla si një diletant. E meritova përjashtimin, por insistova për të thënë mendimin tim: ‘Nëse është VAR-i, përdoreni’.”
BILJA-SUSO-KONTI – “Lukas ka nisur të vrapojë. Mendoj se brenda dy javësh do të bashkohet me grupin. Suso nuk është në 100%, ndjen akoma dhimbje, por të shohim nesër. Konti nuk i ka akoma 90 minuta në këmbë, por është i rëndësishëm për ne.”
MERKATO – “Nuk pres dhurata nga gruaja kur kam ditëlindjen, kështu që nuk pres asgjë. Kemi marrë një lojtar të rëndësishëm si Paketa, por të shohim se çfarë mund të ndodhë, sepse kemi disa parametra për të respektuar. Flas shpesh me drejtuesit dhe nuk është e vërtetë se ka ‘luftë’ midis nesh.”
DËSHIRA – “Do të isha gati të hidhja një firmë të madhe sa kjo sallë për t’u kthyer në lojërat e ndeshjeve të para, ku luanim një futboll nga më të bukurit në Itali dhe i vendosnim të gjithë në vështirësi. Dua ta rishoh përsëri atë Milan. Ka shumë skuadra të forta, Atalanta është e frikshme, Roma po rritet, për të mos harruar Lacion.”