Xhenaro Gatuzo ka folur në konferencën për shtyp, përpara sfidës së nesërme kundër Sasuolos në transfertë. Trajneri i Milanit ka folur për ndeshjen e radhës dhe situatën e vështirë të ekipit, që po prodhon lojë, por pa arritur te rezultatet e dëshiruara.
SASUOLO – “Nesër luajmë kundër një skuadre, që po kalon një formë të mirë, luan një futboll të bukur dhe ndodhet afër Juventusit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sepse ata po luajnë një futboll shumë të bukur.”
SITUATA NË KLUB – “Ndodhemi në një moment kur jemi në nevojë për rezultate. Klubi po na qëndron afër dhe kjo na bën të lumtur. Është një moment ku duhet të kërkojmë qetësinë, skuadra po luan mirë, por nuk po arrijmë të fitojmë dhe kjo po na kthehet në barrë.”
SUSO – “Duhet të vazhdojë të bëjë atë që po bën. Ai ka një kualitet të madh dhe po bën gjëra të mëdha. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, goli do të vijë për të, ndërsa ne kemi nevojë për kualitetin e Susos.”
PAS NDESHJA ME EMPOLIN – “Javën e kaluar nuk isha i zemëruar, nëse humbet shërbimet e Higuain nervozizmi të shtohet pak, por isha i zhgënjyer për humbjen e një lojtari të rëndësishëm. Nuk iu kam thënë fjalë të rënda lojtarëve të mi, ju thashë që nuk kisha asgjë për t’iu thënë dhe po gabojmë shtrenjtë gabimet tona. Nëse nuk i mbyll ndeshjet, kundërshtari mund të krijojë diçka. Duhet të jemi më të aftë para porte, por nuk kam lënë ndonjë skenë me lojtarët.
REPARTI OFENSIV – “Borini ka një problem në kavilje, sot kreu rezonancën, megjithatë, do të shpikim diçka dhe do të zbresim me 11 lojtarë në fushë. Higuain provoi gjatë ditës së djeshme, por ndjen dhimbje dhe nuk mund të rrezikojmë me të, për ta humbur pastaj për një, ose dy muaj. Fjala e fundit i takon atij, por nëse nuk është në 100%, nuk ia vlen të rrezikojmë. Kutrone po punon nga 3-4 orë në ditë për t’u rikthyer, diçka e tillë është e admirueshme dhe ky është mentaliteti, që e vlerësoj shumë.”
RAPORTI ME KLUBIN – “Klubi më bën të ndihem i qetë dhe unë dua t’i dhuroj diçka më shumë dhe ndonjë fitore më shumë. Po paraqitemi mirë, duhet të vazhdojmë më këtë lojë, të limitojmë gabimet dhe të presojmë më shumë në sulm.”
SKUADRA – “Kjo skuadër është e vetëdijshme se kur luan, luan një futboll të bukur. Nuk po arrijmë te rezultatet, por skuadra ka entuziazëm. Nuk duhet të flasim për fat të keq, por të përqendrohemi në ndeshje për 95 minuta. Megjithatë, një fitore do e zhbllokonte ekipin.”
SULMUESIT E LARGUAR – “Historinë e Andre Silvës e dini të gjithë, kur një futbollist nuk dëshiron të qëndrojë, sepse kërkon të luajë, është e vështirë ta mbash. Tani po shënon, por ne bëmë të pamundurën për ta mbajtur. E njëjta gjë vlen dhe për Bakën, kam biseduar me të dhe më shprehu dëshirën për t’u rikthyer te Vijareali.”
FANTAZMA E KONTES – “Nuk mund të mendoj për Konten, jam i varur nga Milan dhe mendoj të bëj punën time. Më duhet të punoj me shumë angazhim dhe profesionalizëm dhe nëse rezultatet nuk vijnë, e di që unë jam përgjegjësi kryesor.”
GABIMI I ROMANJOLIT – “Kur udhëheq 1-0, humbet 4-5 raste të pastra për gol, një gabim individual mund të ndodhë. Deri atë moment, Romanjoli ishte perfekt. Gabimi mund të ndodhë, ashtu si gaboi Kesi.”
RENDITJA – “Klasifikimi peshon, skuadra po humbet shumë energji, sepse vrapojmë shumë dhe po vuajmë në ndeshje. Të humbasësh kaq shumë energji dhe të mos arrish të fitosh, shton vështirësitë në aspektin psikologjik.”
LAKSALT – “Ai bëri një ndeshje pozitive sipas mendimit tim. E njeh mirë kampionatin, ka cilësi në këmbë dhe zhvilloi një 90-minutësh të mirë.”
ÇALHANOGLU – “Hakan ka nevojë për ndihmë në aspektin psikologjik, për mua është një lojtar i madh dhe ka gjithçka për të qenë një lojtar i tillë. Ai merr përgjegjësi, ka nevojë për besim, ka nevojë të jetë më i saktë dhe e gjitha kjo e nervozon, por duhet të qëndrojë i qetë.”
HENDEKU ME JUVENTUS – “Objektivi ynë nuk është të mendojmë për Juventusin dhe ky nuk ishte një objektiv as në fillim të sezonit. Ata janë një skuadër e konsoliduar, të cilët fitojnë prej shumë vitesh.”