Magjia Gatuzo është prishur, sepse Milani në dy ndeshjet e fundit ka humbur dhe ka luajtur shumë keq, duke u kthyer ekipi fantazmë i pak muajve më parë.
Pas disfatës në Xhenova trajneri kuqezi ka analizuar sfidën: “Paguam episodin e golit të pësuar, nuk patëm fat. Më pas, në aspektin teknik gabuam gjithçka, luanim gjithnjë me një prekje më shumë dhe Samp kishte kohë që të ushtronte presion. Megjithatë, në tërësi ishte një paraqitje e mirë, duke marrë në konsideratë episodin e fillimit dhe faktin që vinim nga humbja në derbi”.
Gatuzo nuk e dramatizon humbjen: “Janë edhe 9 ndeshje deri në fund, duhet të besojmë. Nuk ka pse të zemërohemi, duhet thjesht të analizojmë ato që nuk shkojnë si duhet”.
Para ndeshjes Gatuzo tha se pas dy muajsh do fliste për të ardhmen, fjalë që krijuan rrëmujë, por trajneri kuqezi habitet pse ndodhi kjo: “Nuk e kuptoj pse u bë kaq bujë, nuk thashë asgjë të veçantë. Jam i nderuar që punoj për këtë klub gjigant. Në fund të sezonit njerëzit për së mbari ulen dhe bisedojnë, tani kemi një objektiv madhor përpara. Mbeta i befasuar nga reagimi mediatik, unë flas gjithnjë me vartësit e mi, nuk e kuptoj ku është lajmi”.